Rama rikonfirmon vendosmërinë për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike
Në një bashkëbisedim të hapur me ndjekësit në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama iu rikthye temës së lirimit të hapësirave publike që janë zaptuar nga persona privat, duke sqaruar se kjo nismë nuk përbën një sulm ndaj sipërmarrësve, por një përpjekje për të vendosur rregulla të qarta dhe për të mbrojtur interesin e përbashkët.
Kryeministri sqaroi se kjo nuk është një nisëm sezonale, por do të jetë përgjatë katër viteve. Edi Rama iu përgjigj shumë pyetjeve, që nga njëherë ishin pyetje shpotitëse, por duke qenë mjeshtër i shpotisë, kryeministri, nuk hezitoi të përgjigjej po me të njëjtin stil, me shpoti. Gjithashtu Rama sqaroi se nuk është fajtor shteti që iks person shkel ligjin e ndërton pa leje, pavarësisht se ka e duhet të ketë përgjegjsi zyrtari që e ka lejuar apo nuk e ka konstatuar.
Me tej kryeministri foli se nuk do ketë asnjë hezitim kush shkel ligjin, sikurse theksoi se do ketë ndryshime e rregullime të funksionimit të IMT të bashkive.
“Ky nuk është një sulm ndaj aktivitetit sipërmarrës. Po përgatisim një rregullore kombëtare që do të përcaktojë qartë kufijtë dhe do të garantojë hapësirat e lirisë për të gjithë. Ajo që është e përbashkët, është e paprekshme. Çfarë i takon të gjithëve, nuk mund të jetë pre e asnjë guximi për t’u bërë gllabërues dhe plaçkitës. Te gjumi mos më ngatërroni me ata që i kanë shkelur rregullat që më parë,” u shpreh Rama.
Në një dalje publike, kryeministri theksoi rëndësinë e aksionit për prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe lirimin e hapësirave publike, duke vënë theksin tek përgjegjësitë e shtetit dhe institucioneve për të frenuar paligjshmërinë në sektorin e ndërtimit.
Rama njoftoi se në vijim do të forcohet lufta kundër ndërtimeve pa leje me anë të një ligji të ri, që do të detyrojë institucionet të jenë gjithmonë vigjilente dhe të mbajnë “sytë hapur” për të parandaluar shkeljet.
Ky komunikim publik erdhi si rezultat i analizës së reagimeve dhe mendësive të qytetarëve lidhur me problematikën e ndërtimeve pa leje dhe shkeljeve në hapësirat publike, duke përsëritur angazhimin për një ambient më të pastër, të rregullt dhe të respektuar në qytetet tona.
Kryeministri iu përgjigj të gjithë atyre komentuesve që duke marrë shkas nga shembja e një godine pa leje të ndërtuar buzë detit në Vlorë, ngrenë pyetjen se përse u lejua një gjë e tillë.
“Lajtmotivi është: pse u lanë të bëhen? Kjo është një pyetje legjitime, por pastaj vjen pjesa tjetër, që fajin për çfarë ka ndodhur për ndërtimin e një ngrehine buzë detit me gjithë atë volum betoni e ka ekskluzivisht shteti dhe kush e ka bërë këtë trajtohet si një subjekt totalisht i pafajshëm”, shtoi Rama.
Madje, Rama theksoi se “kalohet edhe në ekstrem duke folur për familje të ndershme që mezi mbajnë frymën gjallë dhe kriminalizohet tërësisht shteti, ndërkohë që amnistohen tërësisht autorët e këtyre shkeljeve”.
“Në një farë mënyre është si të thuash: ‘çfarë faji ka hajduti pse shteti nuk e kapi dhe pse duhet kapur e dënuar hajduti në rast se shteti e lejoi që ai të vidhte; çfarë faji ka vrasësi nëse shteti nuk e ndaloi të vriste dhe pse e kap më mbrapa; çfarë faji ka çdo shkelës i ligjit nëse shteti nuk është aty në sekondë për ta ndalur ta bëjë atë shkelje. Kush bën shkeljen është i pafajshëm, ndërkohë fajin e ka shteti dhe të gjithë ata që punojnë në emër të shtetit që nuk i shohin këto gjëra’”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se pa diskutim që në rastin e ndërtimeve të tilla ka një përgjegjësi të madhe të strukturave përkatëse, por pyetja tjetër që vjen është a është kjo përgjegjësi përkatëse e mjaftueshme për të mos ndërhyrë dhe për të mos rivënë në vend ligjin aty ku është shkelur.
“Nga ana tjetër me shumë të drejtë kërkohet kjo përgjegjësi përkatëse të mbahet. Pikërisht për këtë arsye ne kemi përcaktuar në pakon e re të masave që së shpejti do të aprovojmë që të gjithë ata inspektorë, punonjës policie dhe me radhë që kanë përgjegjësi të kenë sytë hapur, do të mbajnë përgjegjësi në rast se do të konstatohen shkelje të kësaj natyre që nuk bëhen në një ditë, por duhen muaj dhe vite për t’u materializuar, siç është rasti i kësaj godine skandaloze të ngritur totalisht pa leje në buzë të detit në bashkinë e Vlorës”, theksoi Rama.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

