Kryeministri Rama: Shteti do të stabilizojë çmimin e naftës me krijimin e faktorit shtetëror
Kryeministri Edi Rama deklaroi në podkastin e tij “Flasim” se rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare është pasojë e zhvillimeve gjeopolitike dhe konfliktit në Lindjen e Mesme. Ai theksoi se lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër regjimit të Teheranit ka një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet globale të energjisë, duke ndikuar në të gjithë tregjet për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të vlerës, sidomos në zonat strategjike si ngushtica e Hormuzit.
Rama nënvizoi se qeveria shqiptare nuk do të rrimë duarkryq dhe ka ndërmarrë masa për të stabilizuar tregun e brendshëm të karburanteve. Ai shpjegoi se po finalizohet krijimi i një faktori shtetëror që do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut, duke rritur transparencën e çmimeve, garantuar furnizimin e pandërprerë dhe mbështetur me garanci sovrane. Ky mekanizëm pritet të reduktojë ndikimin e luhatjeve ndërkombëtare mbi çmimin e naftës në Shqipëri.
Kryeministri theksoi gjithashtu se ministrja e Ekonomisë dhe ministri i Financave kanë ngritur një task-forcë për monitorimin e tregut të hidrokarbureve, me qëllim parandalimin e rritjeve abuzive të çmimeve dhe studimin e ndikimit të tyre mbi rritjen e çmimeve të ushqimeve. Ky grup do të monitorojë gjithë zinxhirin e tregtimit, si në shumicë, ashtu edhe në pakicë, për të siguruar kontroll të vazhdueshëm.
Po ashtu, Rama bëri me dije se projektligji për rezervat strategjike të naftës është në konsultim publik dhe parashikon krijimin e rezervave për një deri në tre muaj. Ai shtoi se ambicia është që brenda pak muajsh qytetarët të ndjejnë ndryshimin e shumëpritur në tregun e karburanteve, duke ofruar stabilitet dhe siguri më të madhe për furnizimin e vendit.
KOHA JONË SONDAZH

