Kryenegociatorja Majlinda Dhuka i përgjigjet Serbisë: Ibri duhet të mbartë ujin, jo pakënaqësi gjeopolitike

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë, Majlinda Dhuka i është përgjigjur Ministrit të Serbisë për Integrimin Evropian, Nemanja Starović, pas debatit për lumin Ibër, duke kundërshtuar interpretimin serb të Rezolutës 1244 dhe duke e cilësuar metaforën e “kështjellës prej rëre” si të mbështetur mbi një lexim selektiv të së drejtës ndërkombëtare.

Dhuka u shpreh sesi juriste, nuk mund të qëndronte indiferente përballë asaj që e konsideron nevojë për “rifreskim të kujtesës”, duke iu referuar argumenteve të paraqitura nga homologu i saj serb. Sipas saj, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk rivendosi sovranitetin serb mbi Kosovën, por vendosi administrimin ndërkombëtar, parashikoi tërheqjen e forcave serbe dhe krijoi një proces politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, pa paracaktuar rezultatin e tij.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit në territorin serb, duke e lidhur këtë me trajtimin e serbëve në Kosovë. Ai tha se për këtë janë angazhuar ekspertë dhe inxhinierë. Në Kosovë, deklarata u prit si kërcënim ndaj sigurisë ujore. Ekspertë kanë vënë në dukje rëndësinë e Ibrit dhe të sistemit Ibër-Lepenc për furnizimin me ujë dhe energjinë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Bashkimi Evropian reagoi më 11 gusht, duke thënë se deklarata të tilla për ndryshimin e rrjedhës së lumit nuk ndihmojnë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Edi Rama iu përgjigj Beogradit duke argumentuar se Kosova është republikë sovrane dhe se burimet ujore në territorin e saj nuk mund të trajtohen si pronë e Serbisë. Nga ana tjetër, Vuçiç e ka paraqitur çështjen si çështje të brendshme të Serbisë, duke kundërshtuar përfshirjen e Shqipërisë në debat.

Swiss Digital Mobile Reklama

Përgjigjja e plotë nga Majlinda Dhuka

Më ndjeni për ndërhyjen, por, duke qenë se jam pashmangshmërisht juriste, nuk mund të rri “duarkryq” teksa shoh nevojën e qartë për një rifreskim të kujtesës, ndërkohë që kolegu im, Ministri i Serbisë për Integrimin Evropian tani sjell metaforën e kështjellës prej rëre në një diskutim që nisi mbi një lumë. Metaforë e këndshme, me një të metë të vogël strukturore: ajo mbështetet mbi një lexim aq selektiv të Rezolutës 1244, saqë bëhet dhe vetë porsi një kështjellë prej rëre.

Pra, për ta kujtuar: Rezoluta 1244 nuk rivendosi sovranitetin serb mbi Kosovën. Ajo vendosi administrimin ndërkombëtar, largoi Forcat e Sigurisë Serbe, krijoi një proces të veçantë politik për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe, ç’është më thelbësore, nuk e paracaktoi rezultatin e atij procesi.

Kjo është arsyeja pse, kur vetë Serbia e pyeti Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nëse deklarata e pavarësisë së Kosovës shkelte të drejtën ndërkombëtare, Gjykata u përgjigj se nuk e shkelte. Dikujt mund të mos i pëlqejë kjo përgjigje. Mund të kalojnë edhe një apo dy breza duke debatuar mbi të. Por, e drejta ndërkombëtare nuk bëhet më e leverdishme duke u cituar me zgjedhje, dhe historia nuk kthehet pas thjesht sepse Beogradi vazhdon të presë që ajo ta bëjë këtë.

Sa i përket integritetit territorial, të gjithë mund të biem lehtësisht dhe plotësisht dakord se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Pikërisht për këtë arsye, përmendja e Ukrainës ndërsa diskutohet Kosova, nuk është thjesht një zgjedhje e papërshtatshme. Është madje një argument kundër vetvetes. Kosova nuk u aneksua. Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim territorial ndaj Serbisë, dhe as ndonjë agjendë për ndonjë gjë “Më të Madhe”, përveç një Evrope të Madhe, me Shqipërinë, Kosovën dhe, po, edhe Serbinë, së bashku brenda saj. Le t’i lëmë fantazmat e “Shqipërisë së Madhe” dhe “Serbisë së Madhe” e të shijojmë daljen e tyre të merituar në pension.

Kosova shpalli pavarësinë pas lufte, spastrimit etnik, ndërhyrjes së NATO-s, viteve të administrimit nga OKB-ja dhe një procesi të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht për statusin e saj. Që prej asaj kohe, ajo është njohur nga më shumë se njëqind shtete anëtare të OKB-së, përfshirë shumicën dërrmuese të anëtarëve të BE-së dhe NATO-s.

Dhe po, sigurisht që edhe Marrëveshja e Brukselit ka rëndësi. Ne nuk e vëmë atë në pikëpyetje. Ne vazhdojmë të besojmë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të trajtohet, ashtu siç duhet të trajtohen edhe detyrimet e vetë Serbisë, në kuadër të dialogut. Duke punuar ngushtë me BE-në, si kolegu im i dashur serb, ashtu edhe unë, kemi parë në jetën reale se marrëveshjet janë pak a shumë si fqinjësia e mirë: funksionojnë dukshëm më mirë kur reciprociteti nuk trajtohet si një shtesë fakultative.

Por, ka diçka pothuajse komike në faktin se sa larg kemi udhëtuar nga pika ku ky shkëmbim nisi në të vërtetë: uji. U bë një kërcënim lidhur me rrjedhën e Ibrit. Shqipëria kundërshtoi vetë idenë se uji mund të shndërrohej në një instrument presioni politik. Nga ai parim mjaft elementar, disi kemi udhëtuar përmes Rezolutës 1244, integritetit territorial, Ukrainës, Kinës, Qipros dhe, më në fund, kemi mbërritur te kështjellat prej rëre.

Një udhëtim i gjatë për një lumë. Prandaj, ndoshta mund t’ia lëmë kështjellat prej rëre plazhit, dhe seminaret e historisë një dite tjetër. Ibri duhet të mbartë ujin, jo pakënaqësi gjeopolitike. Dhe nëse vërtet duam ta ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë evropiane, ekziston një themel ndërtimi dukshëm më i fortë se rëra: REALITETI.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?