Kryeparlamentari turk thumbon BE-në nga Tirana: Slogani jonë, “Ata flasin, Turqia e bën”
“Midis Shqipërisë dhe Turqisë ekzistojnë lidhje historike dhe kulturore, për më tepër dhe numri i popullsisë me origjinë shqiptare në Turqi është i përafërt me numrin total të popullsisë shqiptare në Ballkan. Ata përbëjnë një lidhje të fortë dhe urë midis dy vendeve.”
Zvarritjes së vendeve të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë, apo dhe deklaratave të kryeministrit Rama se në pandemi Unioni braktisi Ballkanin, kreu i Asamblesë së Madhe të Turqisë, Mustafa Sentop, iu përgjigj me ndihmë të pakursyer.
“Turqia nuk është si ato vende “mike” që vazhdimisht monitorojnë, japin detyra dhe vetëm flasin. Turqia është vend që kur ka ndonjë problem thotë: Eja ta zgjidhim sëbashku, t’ja dalim.Që bën punë dhe jep mbështetjen fizikisht. Ne kishim një slogan “Ata flasin, Turqia e bën”. Prandaj miqësia e Turqisë duket qartë në ditë të zeza dhe nuk përbëhet vetëm nga fjalët.”
Duke u nisur nga bashkëpunimi për ndërtimin e spitalit turk në Fier, ai shtoi se bashkëpunimi do të jetë i vazhdueshëm.
“Spitali turk i Fierit nuk është vetëm një investim material por edhe një shkëmbim i gjatë eksperience mes Turqisë dhe Shqipërisë. Vazhdimisht e kemi ndihmuar Shqipërinë që prej fillimit të pandemisë dhe do të vijojmë ta mbështesim.”
Spitali turk i Fierit do të ketë një kapacitet prej 120 shtretërish.
Ndërsa Sentop shtoi se investimet turke në Shqipëri shkojnë në 3.5 miliardë dollarë.
Vizitën dy ditore, Mustafa Sentop, e mbylli në Shkodër ku takoi myftiun e Shkodrës ku në fokus të bisedës ka qenë restaurimi i xhamisë së plumbit, e dakordësuar më parë mes Ramës dhe Erdogan.