Kryeprokurori i Leçes: Asnjë mundësi nisje emigrantësh nga Shqipëria, vetëm trafik droge

“Nuk ekzistojnë mundësitë për një eksod në masë të emigrantëvve të bllokuar në Ballkan që të mbërrijnë përmes detit nga Shqipëria drejt Italisë”, ka deklaruar Kryeprokurori i Leçes, Kataldo Motta gjatë një interviste radiofonike në programin “Zërat e mëngjesit” në Radio 1.

Në rajonin e Pulias në Itali rritet çdo ditë preokupimi se mijëra emigratë të bllokuar në Greqi e në vendet e tjera të Ballkanit mund të mbërrijnë në brigjet italiane përmes Adriatikut, ashtu siç ndodhi plot 25 vjet më parë me eksodin në masë të shqiptarëe drejt Italisë.

Sot shqetësimi kryesor është se kjo rrugë ballkanike emigruese mund të rihapet.

“Mbyllja e rrugës tokësore Ballkanike ka krijuar vështirësi për emigrantët që tashmë janë në pritje të nisjes së tyre, o përmes detit o të vazhdojnë në rrugë tokësore. Por besoj se nuk kanë mjete të mjaftueshme detare për të mbërritur në Pulia, pasi bëhet fjalë për shumë, shumë persona, të paktën 25 mijë. Është një shifër mjaft e madhe. Të transportosh 25 mijë është e pamundur”, u shpreh kryeprokurori i Leçes, Motta.

“Nëse rihapet kjo rrugë nuk mendoj se do të ketë një eksod në masë, por vetëm episode zbarkime emigrantësh. Kohët e fundit kemi pasur vetëm një rast të mbërritjes së një anije 80 metra të gjatë e cila transportonte rreth 1000 emigrantë. Anija u sekuestrua duke i hequr kështu mundësinë e ripërdorimit, trafikantëve të qënieve humane.

Sot u duhet të gjejnë 25 anije më kapacitet 1000 udhëtarë për të transportuar emigrantët e bllokuar nga Ballkani drejt Europës. Pra eksod në masë është i pamundur. Episode zbarkimi emigrantësh përmes Adriatikut mund të ketë, por duhet të kujtojmë se me vështirësitë që paraqet rruga Ballkanike ekziston dhe mundësia e ndjekjes së një rruge tjetër si p.sh nga Afrika”shton më tej ai.

Përsa i përket rrezikut të inflitrimeve të elementëve terroristë përmes lëvizjes së emigrantëve, Kryeprokurori i Leçes u shpreh se është më i mundshëm inflitrimi i tyre me anë të rrugës së emigracionit ilegal, e jo si emigrantë të rregullt.

Kjo pasi sipas tij është me e lehtë të fshihesh mes qindra e mijëra personash sesa t’i nënshtrohesh kontrollit të rregullt doganor.

Përsa i përket lëvizjes së emigrantëe nga Greqia e Shqipëria, Kryeprokurori italian u shpreh se kohët e fundit janë shënuar vetëm dy zbarkime, në gusht e në dhjetor të 2015.

Informacionet janë të pakta që kjo rrugë të hapet, pasi sipas tij nuk ekzistojnë as kushtet e as mjetet për transportimin e një numri kaq të madh emigrantësh përmes Kanalit të Otrantos.

“Është më e thjeshtë të shembin murin siç ndodhi në Maqedoni e të vazhdojnë përmes rrugës tokësore”tha ai.

Pyetjes se rruga e përdorur nga trafikantët është e njëjtë me atë që përdorin trafikantët e drogës, Kataldo Motta u përgjigj se “përsa i përket nisjes së tyre nga Shqipëria kjo rrugë është e njëjta me atë që përdorin trafikantët e drogës. Por e vërteta është se zbarkimet e fundit të emigrantëve në brigjet italiane janë nisur nga Turqia e Greqia. Nga Shqipëria mbërrijnë aktualisht vetëm lëndë narkotike. 

Me shumë gjasa mendohet se janë të njëjtit skafistë të epokës së kontrabandës brindizine, por dhe ky është një fakt relativ. Duhet kuptuar se ekzistojnë mjetet e mënyrat për të rinisur e për të përballuar trafikun e emigrantëe përmes Adriatikut.

Në Shqipëri mbi të gjitha ekziston një ligj i përkohshëm por i rinovuar disa herë, i cili ndalon zotërimin privat të mjeteve lundruese, skafeve e gomoneve etj. Pra mjete detare për të transpotuar 25 mijë emigrantë nuk ekzistojnë.”/Ora

SHKARKO APP