Kryeprokurori Llalla: Frroku i rrezikshëm për shoqërinë, po hetohet edhe në Belgjikë

Me firmën e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, urdhri për ndalimin e dy deputetëve,  Tom Doshi e Mark Frroku, u zbatua nga policia pasditen e djeshme. Ky urdhër, në arsyetimin ligjor që i është bërë nga ana e prokurorisë  nuk mban vetëm akuzat për çështjen “Doshi”, por edhe një proces në Belgjikë, kundër Frrokut. Në urdhrin e firmosur nga Llalla, në dokument shkruhet se ndalimi i Mark Frrokut duhet të bëhet me pretendimin se liria e tij mund të vërë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provave.

Sipas dokumentit, në kërkesën për urdhër-ndalimet e deputetëve, Mark Frroku për shkak të pozicionit si deputet në parlamentin e Shqipërisë, si dhe kapitaleve financiare që disponon apo edhe duke iu referuar veprimeve të kundra-ligjshme dhe shoqërisht të rrezikshme që ka kryer, rrezikshmëria shoqërore e tij mbetet e lartë. Krahas rrezikshmërisë shoqërore dhe sanksioneve që parashikojnë veprat penale për të cilat dyshohet se ka kryer Frroku, ky shtetas, – thuhet në urdhër ndalimin nga prokuroria, – përveç aktivitetit politik dhe financiar në Shqipëri disponon edhe lidhje të rëndësishme financiare jashtë vendit si dhe shtetas tjetër, veç asaj shqiptare.

Një fakt tjetër që shkruhet në dokumentin e firmosur nga kryeprokurori Adriatik Llalla është edhe përfshirja e deputetit të qarkut Shkdoër, Mark Frroku, në aktivitete kriminale në Belgjikë, për të cilat ai aktualisht është në proces gjykimi. Në dokumentin e prokurorisë, më tej argumentohet se plani për eleminimin e deputetëve, Doshi dhe Fufi, ka qenë i sajuar nga vetë deputetët Tom Doshi, Mark Frroku dhe shtetasi Durim Bami, i cili ndodhet në qeli, me qëllim fillimin e ndjekjes penale të paligjshme ndaj kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Megjithatë, avokatët mbrojtës të dy deputetëve e kanë cilësuar të paligjshëm dhe të turpshëm arrestimin e tyre dhe pritet vendimi i Gjykatës së Lartë.

SHKARKO APP