Kryeqyteti feston ëmbëlsinë, mbahet edicioni i parë i Festivalit të çokollatave në “Tirana Moons”

Tirana u bë vendtakimi i shijes dhe kreativitetit me edicionin e parë të Festivalit të çokollatave dhe ëmbëlsirave, një iniciativë e re që synon të kthehet në një traditë të përvitshme për kryeqytetin.

I organizuar në “Tirana Moons” dhe i mbështetur nga bashkia Tiranë, festivali sjell në vëmendje një botë të tërë aromash, teksturash dhe historish që lidhen me ëmbëlsinë.

Ketrina Jarazi, drejtoreshë e Turizmit pranë bashkisë së Tiranës, tha për ATSH-në se ky event vjen si një platformë për të promovuar prodhimet vendase dhe për të nxjerrë në pah zhvillimin e industrisë së ëmbëlsirave në Shqipëri, nga iniciativat artizanale te prodhimet bashkëkohore.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Festivali ndërthur traditën me inovacionin, nga bakllavaja dhe ëmbëlsirat e trashëguara ndër breza, te krijimet e reja të pastiçerive lokale dhe konceptet moderne të ëmbëlsirave e çokollatave. Një reflektim i një Tirane dinamike, ku shija dhe kreativiteti zhvillohen çdo ditë”, tha Jarazi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Erisa Gjikollari, drejtuese e një firme artizanale çokollatash, shprehet për ATSH-në se i gjithë procesi, nga mbledhja dhe përpunimi i kakaos deri te produkti final janë një qasje artizanale.

“E kemi nisur biznesin gjithçka në një punishte të vogël me çokollata jokomerciale, por artizanale. Kakaon e kultivojmë vetë në Itali, nga mbledhja te tharja, e gjitha bëhet në mënyrë natyrale dhe janë çokollata pa kimikate dhe pa konservantë”, tha Gjikollari.

Një tjetër firmë shqiptare që prej tre vitesh operon në tregun shqiptar është edhe ChocoAlb. Një prej përfaqësuesve të kësaj firme, shprehet për ATSH-në se çokollatat që ata prodhojnë janë të gjitha artizanale.

“E rëndësishme është lënda e parë dhe ne jemi kujdesur që të marrim më të mirën. Lënda e parë na vjen nga Belgjika, Frana dhe Italia dhe me të ne bëjmë forma dhe mbushje të çokollatave me produkte shqiptare, si me kripën që e marrim në Vlorë, me trëndafilin e Përmetit, me portokallin e Sarandës, fikun e Beratit etj.”, tha ai.

Ky festival ishte më shumë se një event. Ishte një ftesë për të zbuluar dhe për të shijuar prodhimin vendas, për të mbështetur kreativitetin lokal dhe për të përjetuar Tiranën në një dimension tjetër, atë të ëmbëlsisë.

ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?