Kryesimi shqiptar i Kartës së Adriatikut, ministri Hasani: Të përshpejtohet anëtarësimi i Kosovës
Në mëngjesin e punës të organizuar nga kryesia shqiptare me vendet anëtare të Kartës SHBA-Adriatik (A-5), ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani tha se Shqipëria mbetet e vendosur me vendosmëri për të promovuar paqen dhe stabilitetin, nxitjen e dialogut dhe rritjen e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
”Ne qëndrojmë gjithashtu si avokatë të fortë për integrimin evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Hasani. Shqipëria si kryesuese e Kartës së Adriatikut, sipas ministrit, zbatimi i politikës së dyerve të hapura mbetet prioritet kyç. ”Një përgjigje pozitive ndaj kërkesës së kahershme të Kosovës për anëtarësim është një hap vendimtar dhe i vonuar që duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh ai.
Në mëngjesin e punës të organizuar përgjatë javës së Nivelit të Lartë të OKB-së, u vlerësua fokusi i Shqipërisë në kryesimin e nismës dhe diskutimet u fokusuan mbi zhvillimet në rajon dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përballë sfidave të përbashkëta të sigurisë.
Karta SHBA-Adriatik (US-Adriatic Charter) është një nismë politike sigurie me karakter rajonal, e dakordësuar paraprakisht në Samitin e NATO-s në Pragë (nëntor 2002), mes presidentëve të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe SHBA, për t’u zgjeruar më pas me Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, e ku Kosova, Sllovenia dhe Serbia kanë statusin e vëzhguesit.