Kryetari i Kuvendit takohet me kongresmenët Robert Pittenger dhe Nancy Pelosi

 

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim të veçantë me kongresmenin, Robert Pittenger, kryetar i Task-forcës për Terrorizmin dhe Luftën Jo-Konvencionale. Kongresmeni amerikan e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pjesëmarrjen në konferencën parlamentare të Inteligjencës dhe Sigurisë, ku u diskutuan çështje të rëndësishme si lufta kundër terrorizmit dhe ISIS, kërcënimet kibernetike dhe pastrimi i parave, me fokus krimin e organizuar dhe terrorizmin global.

Meta e ftoi Pittenger, që konferenca e ardhshme të zhvillohet në Shqipëri çka u mirëprit nga Kryetari i Task-Forcës për Terrorizmin dhe Luftën Jo-Konvencionale.

“Gjithë këta elementë janë faktorë të rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar ekstremizmin islamik. Ne kemi gjetur një partner shumë të rëndësishëm tek Shqipëria dhe një mik shumë të madh. E vlerësojmë dhe ju falënderojmë shumë që jeni sot këtu dhe shpresojmë që forumi tjetër në pranverën e ardhshme të zhvillohet në Europë. Nëse do të kemi mundësi do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që ky forum të bëhet në Tiranë. Të shpresojmë që edhe të tjerët do t’i bashkohen kësaj nisme dhe kësaj axhende, por ftesa juaj është shumë e mirëpritur dhe e respektuar”, – tha Pittenger.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit zhvilloi edhe një takim me lideren e demokratëve në Kongres, Nancy Pelosi. Ecuria e reformave në Shqipëri ka qenë një nga temat qendrore të bisedës së zhvilluar. Ndërkohë që rreziku i terrorizmit dhe krizës së refugjatëve nga Siria ishte një tjetër çështje e diskutuar në takimin mes Ilir Meta dhe shefes së grupit të demokratëve në Kongresin Amerikan. Gjatë bashkebisedimit u prek dhe tema e kontributit të Shqipërisë në kuadër të NAto-s dhe operacionevë paqeruajtëse ku Shqiperia bën pjesë.

Po sot, kreu i Kuvendit,  Ilir Meta është takuar me disa anëtarë të Kongresit Amerikan.  Meta zhvilloi biseda të veçanta me Kryetarin në largim të Kongresit, z. John Boehner, kongresmenët z. Ralph Abraham dhe z. Dereck Kilmer, me të cilët diskutoi mbi zhvillimet në Shqipëri dhe rajon, rrezikun e terrorizmit dhe krizës së refugjatëve, si dhe kontributin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe operacioneve paqeruajtëse. Të gjithë bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen e Kongresit Amerikan për ecurinë e reformave në Shqipëri dhe vlerësuan rolin e rëndësishëm që Parlamenti ka në përmbushjen e tyre.

Gjithashtu, gjatë vizitës së tij në SHBA, Kryetari i Kuvendit u prit në një takim nga senatori Chris Murphy, Nënkryetar i Komitetit për Europën në Senatin Amerikan, me të cilin diskutoi mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, zhvillimet e brendshme dhe kursin e reformave që ka ndërmarrë mazhoranca, duke u ndalur edhe tek situata në rajon dhe kriza e refugjatëve. Meta shprehu angazhimin e Shqipërisë për të qëndruar përkrah SHBA-ve në përballimin e sfidave të mëdha të sigurisë globale. Në takim u diskutua edhe për mundësinë e rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe nxitjen e investimeve amerikane në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit Meta zhvilloi një takim edhe me kongresmenin David Jolly me të cilin biseduan për mundësinë e rritjes së shkëmbimeve mes Kongresit amerikan dhe Parlamentit shqiptar, bashkëpunimin ekonomik dhe investimet amerikane në Shqipëri. Vizita e Meta në SHBA do të vijojë me të tjera takime në ditët në vazhdim.

SHKARKO APP