Erisa Xhixho: Krimi dhe politika vazhdojnë të bashkëpunojnë, duhet reformë e thellë zgjedhore
Nënkryetarja e LSI Erisa Xhixho e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se Edi Rama dhe qeveria e tij vazhdojnë që të bashkëpunojnë me krimin.
Xhixho u shpreh se një tjetër kryetar bashkie u denoncua publikisht nga opozita e bashkuar, duke nënkuptuar kryetarin e Mallakastrës. Ajo shtoi se Rama ka zgjedhur që të kriminalizojë politikën.
“Kemi lidhje të krimit dhe politikës. Ju e patë sot denoncimin për kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, si ndodhi me Shkodrën dhe me Vorën. Sfida e LSI është jo vetëm të kritikojmë këtë qeverisje, që është kriminale në shumë aspekte, por të afrojë edhe alternativën e vet. Tashmë shqiptarët e kanë të qartë se kush i qeveris. Më 2013, ishte vetëm një parti dhe prapë u futën njerëz të kriminalizuar. Pra, politika e bën këtë. Nuk ka vullnet”, tha Xhixho.
Erisa Xhixho theksoi se keq-qeverisja po shpopullon përditë Shqipërinë, duke thënë se qeveria ka faje për këtë situatë ku ndodhemi.
“Mendoj padyshim që mesazhi i Konventës së LSI ishte për të bërë një analizë për 2019, duke bërë një analizë politike, jo që morëm nga BE për mos-hapje të negociatave si dhe zhvillimet. Nga ana tjetër, kriza ekonomike është thelluar që ka çuar në depresion social, që ka çuar në largim të njerëzve. Po ikën truri dhe kapitali ekonomik. Shpopullimi i Shqipërisë është një problematikë e madhe, lidhur me të gjitha strukturat shtetërore që kanë probleme”, deklaroi Xhixho.
Po ashtu, Xhixho nënvizoi se viti 2020 është një nga vitet ku LSI ka disa sfida kryesore të saj.
“Më 2020 kemi sfida të reja. Duhet që në këtë vit duhet të ngremë institucione të forta. Në këndvështrimin tonë, kriza zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme. Kemi një parlament e sistem drejtësie, ku mbizotëron vetëm një parti politike. Ju shikoni si u veprua me Gjykatën Kushtetuese. Kapja e Gjykatës Kushtetuese, antiligjore”, vlerësoi Xhixho.
Për Xhixhon, vetëm një reformë e thellë zgjedhore, mund të kthejë drejtësinë në vend dhe të ç’kriminalizojë politikën.
“Reforma Zgjedhore duhet të zgjidhë kriminalizimin dhe të mos vidhen më votat. Problemi është në zbatimin e ligjit. Më thoni nëse sot kemi të dënuar nga dy dosjet e famshme të Dibrës dhe të Shijakut. Na duhet një reformë, e cila duhet të realizojë zgjedhje të lira e të ndershme. Padyshim që reforma zgjedhore duhet të vendosë drejtësi në vend. Unë e lidh me drejtësinë. Komisioni i Reformës Zgjedhore është ilegjitim. Ne dua\m të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. Rama është personi që ka ideuar promovimin e krimit në politikë. Si mund ta zgjidhim? Një zgjidhje mund të jetë një qeveri tranzitore”, tha Xhixho.