Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj: Bandat kanë në dorë pronat tona në Hipotekë
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka ngritur sot alarmin për rrezikun serioz që paraqet AKSHI për sigurinë e të dhënave personale dhe pronat e qytetarëve shqiptarë.
Në një video-mesazh në rrjetet sociale, Shehaj deklaroi se AKSHI ka në dorë çdo informacion jetik për qytetarët, përfshirë të dhënat e pronësisë, shëndetit, biometriket, lëvizjet, gjobat dhe llogarivtë bankare, duke theksuar se ky është një rrezik i madh për çdo qytetar nën dritën e zbulimit nga SPAK se AKSHI kontrollohet nga bandat kriminale.
Shehaj theksoi se sipas hetimeve të SPAK-ut, përmes AKSHI-t janë kryer ndërhyrje të paligjshme në Kadastrën Shtetërore, ku janë ndryshuar pronarë pronash. Ai e cilësoi këtë situatë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për pronën dhe sigurinë juridike të çdo qytetari.
“Është e paimagjinueshme që drejtoresha e AKSHI-t, e vendosur në arrest shtëpie dhe e cilësuar nga SPAK si pjesë e një bande kriminale, vazhdon të mbahet në detyrë nga Edi Rama, ndërkohë që ka akses mbi çdo të dhënë të jetës sonë,” u shpreh Shehaj.
Sipas tij, heshtja e kryeministrit Rama dhe mbajtja në detyrë e zyrtarëve nën hetim përbëjnë një rrezik serioz për demokracinë, pasi krijojnë kushte që të dhënat personale dhe pronësore të qytetarëve të përdoren për shantazh, presion apo manipulim.
Shehaj i bëri thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mos e normalizojnë këtë situatë, duke paralajmëruar se sot rrezikohen pronat, ndërsa nesër mund të vihet në rrezik vetë liria personale përmes keqpërdorimit të të dhënave biometrike.
“Qeveria Rama dhe bandat e saj kontrollojnë çdo aspekt të jetës sonë. Ka pasur raste kur kanë ndërruar pronarët e pronave. Sot janë pronat. Nesër me të dhënat tona biometrike mund të inkriminojnë kë të duan, kur të duan.
Kjo nuk është demokraci. Jemi të gjithë pengje të Bandave!” – thotë Shehaj mes të tjerash
KOHA JONË SONDAZH

