Kryetari i PD në Fier: Subashi po zgjedh kryetarët e fshatrave sipas interesave! Bashkia: Gjithçka sipas ligjit
Kryetari i PD në Fier Luan Baçi ka hedhur akuza ndaj kryebashkiakut Armanddo Subashi duke thënë se po zgjedh kryetarët e fshatrave sipas interesave të tij. Ai theksoi se banorët nuk do të lejojnë marrjen e të gjitha pushteteve nga PS.
“Subashi ka uzurpuar të gjitha pushtetet, po vazhdon ti shtrije duart e tij edhe të zgjedhja e kryepleqve. Përfaqësuesit e fshatrave janë të zgjedhur sipas rregullit një anëtar një votë , Subashi po zgjedh të tjerë me urdhra që nxjerr nga zyra e vet për të dorëzuar vulat personave qe ai ka zgjedhur. Disa me urdhrat e Subashit disa me urdhra të kryetarit. Ne nuk do të lejojmë që ai te marrë të gjitha pushtetet , banorët do të ngrihen të gjithë në këmbë për të mos dorëzuar këto vula.” tha Baçi.
“Kryepleqtë e fshatrave janë ende në punë njësoj si kreu i bashkisë , por ky i fundit do të vazhdojë varsen e tij. Kryepleqtë zgjidhen nga një grup këshilltarësh votojnë dhe e zgjedhin por kjo nuk është bërë pasi ata thjesht i kanë emëruar pa asnjë zgjedhje. Më pak fjale Kryetarët e fshatrave zgjidhen nga populli me votë dhe jo emërim nga bashkia.” shtoi më pas ai.
Menjëherë pas këtyre akuzave ka ardhur një reagim edhe nga bashkia e Fierit. Bashkia ka hedhur poshtë këto akuza duke thënë se gjithçka është bërë në përputhje me ligji për qeverisjen vendore.
“Marrë shkas nga konferenca për shtyp e Z. Luan Baçi, Ju informojmë se: Në përputhje me pikën 4 të nenit 70 të Ligjit 139 “Për Vetëqeverisjen Vendore”: Zgjedhjet e kryesisë së fshatit bëhen një herë në katër vjet, pas zgjedhjeve për këshillin bashkiak dhe jo më vonë se tre muaj pas këtyre zgjedhjeve. Nisur nga kërkesat e Ligjit Këshilli i Bashkisë Fier me vendimin Nr 96 datë 11.09.2019, ka miratuar nisjen e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të kryesisë së fshatrave dhe Kryetarit të Fshatit, duke ngritur komisionin përkatës të këshilltarëve për mbikëqyrjen e procesit. Ne vijim të këtij vendimi komisioni ka organizuar zgjedhjet e kryesive dhe kryetarëve e fshatrave, konfirm rregullave dhe ligjeve në fuqi. Kryesia dhe Kryetari i fshatit ushtron funksionet e përcaktuara në nenin 71 të Ligjit 139 “Për Vetëqeverisjen Vendore”. Në përputhje me pikën 4 të po këtij neni: Kryetari pajiset me vulë dhe ka autoritetin të lëshojë vërtetime për fakte e të dhëna për banorët ose territorin e fshatit të tij, për të cilat ai është në dijeni, sa herë që kjo kërkohet nga bashkia, nga vetë banorët ose nga çdo institucion tjetër, në përputhje me ligjin. Kjo është arsyeja përse ish Kryetarët e Fshatrave kanë detyrimin ligjor për të dorëzuar vulën përkatëse. Në rast të mosdorëzimit të vulës ish Kryetarët e Fshatrave do të përballen me përgjegjësitë ligjore dhe do të përgjigjen penalisht. Të nderuar qytetarë duke mos e kuptuar dëshirën e Partisë Demokratike për pushtet, ndërkohë që hoqën dorë nga zgjedhjet vendore, që nga Kryetari i Bashkisë e deri te zgjedhja e kryesisë së fshatrave, Ju sigurojmë se zbatimi me korrektesë i ligjit dhe ofrimi i shërbimeve ndaj Jush, janë dhe do të mbeten misioni i vetëm i Bashkisë Fier.: thuhet në komunikatën e Bashkisë së Fierit.