Kryevirologu amerikan: Vaksina antiCovid do jetë gati deri në fund të vitit

Eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive dhe kryevirologu i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci, parashikon se SHBA-ja do ta përmbushë objektivin për të pasur një vaksinë për koronavirusin para fundit të këtij viti.

Ai tha në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuter se nuk ka ende garanci të madhe që kjo do të ndodhë, por se ndihet optimist për afatet e përcaktuara.

Shumë ekspertë e shohin prodhimin e një vaksine të sigurt dhe të efektshme si të vetmen rrugëdalje nga pandemia që ka infektuar miliona dhe ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 575,000 njerëzve në të gjithë botën.

Dr. Fauci tha se edhe nëse një vaksinë arrin të provokojë një përgjigje imune nga trupi i njeriut, ende nuk është e qartë se për sa kohë mund të zgjasë kjo mbrojtje.

Ai tha se “këto janë pyetje që nuk kanë përgjigje tani për tani, sepse që nga shpërthimi i virusit kanë kaluar vetëm gjashtë muaj.”

Sipas tij, mund të duhet të kalojë një vit para se t’i jepet përgjigje pyetjes së kohëzgjetjes së imunitetit të derivuar nga vaksina Covid.

SHKARKO APP