Ku do ta kenë ‘epiqendrën’ shqiptarët e Diasporës? Dy portalet që do të krijojë FSHZHD
Që shqiptarët janë të shpërndarë kudo në botë, kjo nuk është një gjë e re. Vazhdimisht, shqiptarët e diasporës kanë vepruar për të bashkuar hallkat e tyre në një rrjet të vetëm. Së fundmi, Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës ka vendosur krijimin e dy portaleve, të cilët pritet t’i mbledhin profesionistët ‘e shpërndarë’ në dy platforma online.
FSHZHD ka njoftuar hapjen e tenderave në Agjencinë e Prokurimit Publik. Brenda afro 2 muajsh, “Dhoma e Biznesit- Si të fillosh një biznes në Shqipëri” dhe “Rrjeti i Profesionistëve në Diasporë” pritet të vihen në jetë. Për portalin e parë është vënë në dispozicion një fond limit 2.4 milionë lekë, ndërsa për portalin e dytë, një fond limit afro 2 milionë lekë. Mirëpo, përse këto platforma?
“Dhoma e Biznesit të Diasporës – Si të fillosh një biznes në Shqipëri” do të shërbejë si mekanizëm kryesor në krijimin dhe forcimin e rrjetit të bizneseve të Diasporës me ato vendase duke krijuar rrjetet funksionale të bizneseve të Diasporës, duke dhënë informacion mbi legjislacionin, institucionet, njoftime, grante, dokumente të ndryshme që ndihmojnë në krijimin apo transferimin e biznesit në Shqipëri, duke ndihmuar bizneset e Diasporës të identifikojnë sektorët me interes brenda vendit dhe iniciativat sipërmarrëse, duke ndikuar në rritjen e interesimit të investitorëve nga Diaspora” specifikohet në detajet e tenderit të parë, me fond 2.4 milionë lekë.
Po ashtu, në detajet bashkangjitur tenderit, specifikohet se ky portal, ka për qëllim ‘të përthithë’ bizneset e Diasporës dhe të nxisë investimet e Diasporës dhe iniciativën sipërmarrëse. Nga ana tjetër, “Rrjeti i Profesionistëve në Diasporë”, sipas dokumentacionit të tenderit, synon krijimin e një rrjeti profesionistësh të konsoliduar, të shërbejë si urë komunikimi, si dhe të promovojë Shqipërinë në nivel global.
“Platforma e rrjetit të profesionistëve do t’i shërbejë rritjes së kapaciteteve dhe rrjetëzimit të kapitalit shoqëror në diasporë, si një vlerë e shtuar për zhvillimin ekonomik të vendit. Nëpërmjet rritjes së angazhimit të profesionistëve të diasporës, synohet të rriten mundësitë socio-ekonomike dhe perspektivat e shqiptarëve brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë” specifikohet në detajet e tenderit.
Të dy tenderat e shpallur nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës do të qëndrojnë të hapur deri në 15 nëntor, ora 09:00, për të gjithë aplikantët e interesuar.
/ SCAN