Kuba e Fidel Kastros një mrekulli e Karaibeve
Nga Muharrem Xhafa
KUBA E FIDEL KASTROS NJË MREKULLI E KARAIBEVE
Dikush kishte vënë në fb një vidjo të bukur për Karaibet. Kjo më nxiti të shkëpus nga kujtimet e mia e të hedh për herë të parë sot në fb diçka që kam shkruar për Kubën e Karaibeve!
Në janar 1990, me Namik Doklen, sekretar i BPSH-së u caktuam delegacion për të marre pjesë në kongresin e Sindikatave të Kubës.
Kishim jo pak njohuri për Kubën, po një tablo më të plotë të gjendjes së vendit të tij, na bëri, para nisjes, ambasadori i Kubës në Tiranë, gjatë një pritje që ai shtroi për nder të delegcionit.
Pritja ne aeroportin e Havanës qe korekte dhe e perzemërt. Na sistemuan në hotelin e famshëm turistik “Habana Librê”.
Kongresi ishte gjigand, me rreth 3 mijë pjesemarrës. Në kongres, përveç udheheqjes së Partisë, të shtetit e ministrave, ishte
i pranishëm edhe udhëheqësi i Kubës, Fidel Kastro.
Ishte goxha aktiv në Kongres dhe polemist i madh pêr problemet që u adresoheshin partisë e shtetit! Me të, delegatët polemizonin, që nga salla, lirshëm, pa ndrojtje, madje e thërrisnin në emër, Fidel, rrallë shumë shoku Fidel, edhe pse gëzonte autoritet absolut!
Para se të niseshim, më ishte dhenë porosi nga Ramiz Alia të bënim çmos për një takim me Fidel Kastron.
Që ditët e para, delegacioni ynē kembënguli të realizonte një takim të veçantë me Fidelin. Po Kastro priste vetëm zyrtarë te rangut të tij. Nejse, delegacionin shqiptar e priti në takim të veçantë; e priti në darken që u shtrua në një park të madh e te bukur pêr nder të mbylljes së punimeve të Kongresit.
Pasi u kthyem i kërkova shokut Ramiz të shkonim për ta informuar bashkë me Namik Doklen. Më shumë për faktin se ishte vete ai që më kishte caktuar të shkoja anetar i delegacionit të sindikatave dhe që në zyrën e tij më porositi të kembengulja për takim me Fidel Kastron. Shoku Ramiz nuk më priti vetë, po më tha të informoja me hollësi Foto Çamin.
Fotos i fola me detaje për pritjen e ngrohtë, për zhvillimin me sukses të punimeve të Kongresit, për takimin e veçantë dhe emocionues të delegacionit tonë me Fidel Kastron.
I thashë shokut Foto se, pasi na pershendeti dhe ne i beme vlerësimin tonë të lartë për Kongresin e sindikatave, për vizitat në Muzeun Histotik të Kubës, në Shtëpinë Muze të Heminguejit, në plazhin e Varaderos, në qendrën artistike të Tropikanos, në familje kubaneze etj., Fidel Kastro na u drejtua me fjalët : Popullin shqiptar dhe udhëheqësin e vjetër i kam njohur dhe respektuar. Vendi juaj ka luftuar e ka qëndruar heroikisht. Udhëheqësin e ri nuk e njoh, po uroj ta mbajë.
Gjithashtu, i thashë shokut Foto se Fidel Kastro më ngjau me Enver Hoxhën : ishte burrë shteti, e donte dhe e mbronte populli i tij dhe se “ç’thoshte në darkë në mëngjes ishte bërë”! Bota, na tha Fideli, ka nevojë për një Kubë në Europë dhe për një Shqipëri në Karaibe.
Në Kubë, i thashë Fotos, nuk ndërhyhej në jetën private të njerëzve, po ligji vepronte rreptë dhe me drejtësi. Prona private, tregu privat dhe oborri kooperativist nuk ishin hequr, por funksiononin si ndihmës për nevojat e familjes. Kuba i lejonte ndermarjet shtetrore të mbanin lidhje për interesat e shtetit me firma të huaja, me Spanjën sidomos! Ndersa turizmin e kishte shumë të zhvilluar.
Në mbyllje të takimit, i thashë shokut Foto Çami, udhëheqësi i Kubës, na pyeti : A keni ndonjë gjë të vëçantë për të thënë?
Ambasadori i Shqipêrisë në Kubë, Çlirim Çepani na kishtë thënë se anija “Shkodra” ka disa muaj e ankoruar në portin e Matancës, 100 km larg Havanês, po kubanezët nuk e ngarkonin me sa kapacitet kishte (12. 000 ton) por vetëm me 5000 ton sheqer. Këtë ia thamê shokut Fidel, i cili na u përgjigj se për sheqer e kafe nuk bëhet fjalë në Kubë! Kastro ishte jo vetëm një polemist i madh, po edhe i drejtëpërdrejt e shumë shoqëror!
Që atë natë, u nisëm për në Matanca, bashkë me ambasadorin Çlirim Çepani, për të takuar ekuipazhin e anijes “Shkodra” dhe për t’i dhëne lajmin e mirë.
– – – –
Pas disa ditësh, shoku Ramiz në zyrën e tij më tha se ishte njoftuar me hollësi nga Foto Çami. Po nuk shfaqi më tej interesim. Pavarësisht kesaj, gjeta një moment dhe ia thashë gjërat kryesore për Kubën. I pêrsërita se do të kishte qenë mirë të na kishte pritur vetë ai, mua me Namikun!
Sa kuptova, atij i kishte mbetur qejfi pse Fidel Kastro kishte thënë që udhëheqësin e ri nuk e njoh, po uroj ta mbajë! Alia nuk ma shprehu me fjalë këtë hatërmbetje, po duke u ndarë më tha se ne nuk bëjmë asnjë hap mbrapa.
Pa kaluar shumë kohë, Ramiz Alia e dorëzoi pushtetin në duart e PD-së e Sali Berishës, ndërsa heroi i Kubês, i qëndroi besnik popullit e atdheut të vet deri sa vdiq!
– – –
Pêr shkak të detyrës kam parë shumë vende të botës, po mrekullitë e Kubës nuk i kam parë në asnjë vend tjetër!
Më 22 prill