ZYRTARE/ Juventus rinovon me Spallettin deri në vitin 2028
Tashmë është gjithçka zyrtare: Luciano Spalletti ka rinovuar kontratën me Juventus deri në vitin 2028. Lajmi u parapri nga një video e publikuar në rrjetet sociale, ku trajneri italian ua komunikon vendimin vetë lojtarëve të skuadrës.
Tekniku nga Certaldo ka firmosur kështu zgjatjen e bashkëpunimit me bardhezinjtë edhe për dy sezone të tjera, duke konfirmuar besimin e klubit ndaj projektit të tij. Spalletti iu bashkua Juventusit më 30 tetor dhe që nga ai moment ka pasur një ndikim të menjëhershëm në ekip.
Në deklaratën zyrtare, CEO i klubit, Damien Comolli, theksoi rëndësinë e këtij vendimi: “Jemi shumë të lumtur që kemi zgjatur kontratën e Luciano-s për edhe dy sezone. Që nga momenti kur iu bashkua familjes sonë, ai pati një ndikim shumë pozitiv te lojtarët, te klubi dhe te e gjithë komuniteti bardhezi”.
Comolli vlerësoi gjithashtu filozofinë e trajnerit: “Stili i tij ambicioz i lojës përputhet me pritshmëritë tona dhe me ato të tifozëve. Vlerat që ai përfaqëson janë pjesë e identitetit të Juventusit”.
Sipas drejtuesve të klubit, vendimi për të vijuar bashkëpunimin lidhet me nevojën për stabilitet dhe vazhdimësi, elemente që konsiderohen thelbësore për suksesin në të ardhmen.

