Kufiri detar me Greqinë, Rama: Do t’i drejtohemi instancave ndërkombëtare
Kryeministri Edi Rama e nisi me nota emocionale konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, ndërsa kujtoi ndihmën e Greqisë ndaj Shqipërisë gjatë tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Rama shtoi se çështjet mes dy vendeve nuk kanë pse kalojnë nga Brukseli, pasi janë lehtësisht të zgjidhshme përmes komunikimit.
Kreu i qeverisë ironizoi diskutimet për “pushtimin grek të Shqipërisë përmes pretendimit të 12 miljet detare”, çështje që sipas tij ishte përdorur për propagandë nga segmente të caktuara.
“Kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi “i” në bazë të ekspertizës dhe në bazë të të drejtës ndërkombëtare të detit”,-deklaroi Rama.
Ai tha se kishte besim se ligji i luftës me Greqinë do të merrte gjithashtu zgjidhje së shpejti. Çështja e kufirit detar me Greqinë, është tema e nxehtë, që do të diskutohet sot gjatë takimeve që ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias do të diskutojë me krerë të shtetit dhe të politikës në Tiranë.