Kultivonin kanabis në disa parcela, përfundojnë në pranga dy autorët e dyshuar
Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë në Fushë-Arrëz, pasi dyshohen se ishin përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike në disa parcela të tokës publike.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gurra”, u arrestuan në flagrancë E. P., 20 vjeç, dhe S. J., 50 vjeç, banues në fshatin Aprip e Gurit. Sipas hetimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Pukë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Forcat Operacionale, dyshohet se ata kishin kultivuar gjithsej 355 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të shpërndara në 15 parcela të ndryshme në tokë publike.
Operacioni u zhvillua pas një hetimi disa-javor, i realizuar me metoda proaktive për goditjen e rasteve të kultivimit të lëndëve narkotike. Gjatë ndërhyrjes, efektivët identifikuan parcelat dhe sekuestruan bimët, të cilat më pas u asgjësuan në vend me anë të djegies.
Policia bën me dije se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
KOHA JONË SONDAZH

