Kumbaro: Mbi 600 mijë euro financim për doktoraturat e studiuesve të rinj
Ministria e Arsimit dhe Agjenica Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit kanë hapur thirrjen për financimin e Studimeve të Doktoraturës 2026.
Në aktivitetin ku të pranishëm ishin përfaqësues të botës akademike, pedagogë, studiues shkencorë, doktorantë e studentë, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro theksoi se ky vit i ri akademik ka nisur me një infranstrukturë të përmirësuar, ashtu edhe programe, me mbështetje, me buxhete dhe thirrje për studentët.
“Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit e ka pasuruar shumë portofolin e mbështetjeve të saj ndër vite. Jemi në vitin e dytë të këtij programi, por me një skemë shumë më të përmirësuar, shumë më të qartë dhe, mbi të gjitha, me një mbështetje të shumëfishuar për doktorantët”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja vuri në dukje se nëse vitin e kaluar ishte në dispozicion një buxhet rreth 100 mijë euro, këtë vit buxheti i dedikuar kalon 600 mijë euro.
“Nëse vitin e kaluar kishim një mbështetje deri në 5 mijë euro për doktorant, këtë vit kemi një mbështetje deri në 10 mijë euro për doktoraturat standarde, dhe deri në 30 mijë euro për doktoraturat industriale”, tha ajo.
Kjo, sipas saj, është edhe arsyeja pse programi zbatohet këtë vit mbi një parim: një thirrje, dy kategori, një standard kombëtar.

