Kundërpërgjigjet Aleksandër Frangaj:Ja pse sulmon gjysemlapsi Andi Bushati dhe modeli i tij Mero Baze

 

1-Ju jeni bërë ditët e fundit protagonist i një beteje mediatike që lidhet me “Lagunën Blu”. Pyetja e parë, pse nuk keni reaguar prej kaq ditësh dhe si qëndron e vërteta?

-Kam refuzuar prej shume vitesh të bie në lojën e pistë të shpifësve profesionistë, prandaj dhe nuk kam reaguar ndaj kësaj histerie të organizuar nga kryeshpifësi historik dhe fotokopja e tij e gjysëm lapsit. Por, për të sqaruar ata që vërtet duan të dinë edhe të vërtetën time, po ju them që kjo është një histori aq banale sa edhe e turpshme për ata që më sulmojnë.

Prej shume vitesh kam blerë tek kompania “Epidam” një investim në kompleksin e ngritur prej saj, ambientet sportive. Më pas, me daljen e ligjit që detyronte të blinin truallin të gjithë disponuesit e objekteve të fshatrave turistike, të cilët kishin ndërruar destinacionin e përdorimit nga resorte për zhvillim turizmi, në shtëpi të dyta pranë detit, edhe unë si gjithë banorët e tjerë kam blerë edhe tokën nga shteti, duke u bërë pronar i ligjshëm i investimit dhe i truallit. Kjo procedure ligjore është aplikuar nga të gjithë banorët e këtij kompleksi, si dhe të pothuaj të të gjithë fshatrave turistikë në të gjithë Shqipërinë.

Në vitin 2014, në përputhje me studimin urbanistik të Komunës Golem, kam aplikuar dhe kam marrë lejen për strukturë individuale banimi 1 dhe 2 kate nga Kryetari i Komunës Golem. Pra, investimin ja kam blerë pronarit të ligjshëm “Epidam shpk”, truallin ja kam blerë pronarit të ligjshëm -shtet, lejen e kam marrë pranë autoritetit të ligjshëm Komunë.

2-Sipas shtypit afati i lejes ka përfunduar, përse vazhdoni të ndërtoni?

-Është shpifje e atyre që përmenda më lart. Afati i lejes së ndërtimit është deri me 31 shtator 2016.

3-Është shkruar që leja është marrë nga “Mane TCI”, por Mane është tërhequr pas takimit me banorët. A e ka bërë ai të pavlefshëm këtë leje?

-Është e pasaktë. Leja është marrë në fillim nga “Mane TCI”, por me vendim të Kryetarit të Komunës Golem, datë 02.06.2015 është miratuar ndryshimi i subjektit ndërtues tek shoqëria “KUPA” sh.p.k. Mane mund të jetë tërhequr nga ndërtimi i vilës së vet, por kjo nuk ka lidhje me mua. Janë 2 leje të veçanta dhe në pronësi të ndryshme.

4-A ka ndikuar kryeministri Rama në këtë leje ndërtimi? A ka qënë ai autori i saj?

-Jo. Leja është kompetencë ligjore dhe kushtetuese e organit të qeverisjes vendore. Nuk ka patur nevojë të kërkoj ndihmën e Kryeministrit se gjithçka është me pikë e me presje në përputhje me studimin urbanistik dhe të drejtën legjitime për të zhvilluar pronën, në përputhje me kondicionet e parashikuara. Gjithçka është e bazuar në ligj dhe e verifikueshme lehtësisht. Një leje, nëse është e ligjshme apo e paligjshme nuk gjykohet me peticione, apo me sulme në portale. Aq më pak këto i gjykon Kryeministri. Gjykimet i bën vetëm gjykata.

5-Po banorët që reagojnë dhe protestojnë?

-Disa nga banorët e fshatit mendojnë se janë pronarë të të gjithë hapësirave që shohin me sy dhe si rrjedhim pretendojnë se ai investim dhe ajo tokë janë të tyret. Por asnjeri prej tyre nuk disponon asnjë të drejtë të ligjshme, pasi pronar i një prone kudo në botë bëhesh kur ti e blen atë, ose kur dikush ta dhuron atë.

Nëse 1 person i vetëm disponon me shkrim një kontratë që atë prone ia ka shitur apo dhuruar ndërtuesi i tyre, apo që të kenë paguar 1 euro për atë truall, unë nuk shkel më, jo në Qerret, por as në Kavajë. Nëse dikush pretendon se mund të behet pronar i një prone vetëm se mund të protestojnë nëpër gazeta, apo se mund të firmosin peticione, mendoj se gabojnë. Kështu “komuniteti” mund të behej pronar i pronave të të tjerëve si askund në botë.

Pavarësisht se unë i kam blerë ato ambiente në përputhje të plotë ligjore, tek pronarët e ligjshme të tyre, u kam deklaruar se 2 fusha sporti do t’ua sponsorizoj dhe do t’ua ndërtoj aty pranë, jo sepse ju kam ndonjë borxh atyre që më janë qepur me shpifjet e tyre, por do ta bëj se e ndjej për detyrim, përderisa i kam mundësitë t’ja kompensoj fëmijëve të komunitetit tokën ku do të ndërtoj, me dy terrene sportive të tjera.

Për mosbesuesit, u kam ofruar që nëse duan ti ndërtojnë vetë, të me japin numrin e llogarisë së përbashkët, dhe tu derdh të gjithë shumën e nevojshme që kushton ndërtimi i 2 fushave. Por, reagimi i disa banorëve të frymëzuar nga dyshja e shpifësve, ka qenë se nuk duam të na ndërtosh fusha, por duam që ti të mos ndërtosh.

Dhe është qesharake, sepse një pjesë e banorëve që protestojnë, përfshi avokatin e tyre, kanë ndërtuar ose janë shtuar pa leje ndërtimi. Dhe tani protestojnë për një ndërtim me leje.

Kjo tregon qartë se këtu kemi të bëjmë me një xhelozi ndaj meje, që udhëhiqet nga gjysëm lapsi Andi Bushati dhe modeli i tij Mero Baze, të cilët siç e keni parë përpiqen ta kanalizojnë politikisht duke u përpjekur të bëjnë lidhje mes TV Klanit dhe Kryeministrit. Këta mjeranë që kurrë nuk kanë mundur të ndërtojnë diçka të mirë, as për shoqërinë e as për veten e tyre, funksionojnë mbi modelin e gjobëvënies ndaj politikanëve, biznesmenëve apo figurave publike. Këta “parimore”, që fusha kërkojnë por fusha nuk duan, shkarravitin dhe i bëjnë presion Kryeministrit që të më pengojë mua që të ndërtoj në pronën time dhe me leje të rregullt, ndërkohë që më parë e kane sulmuar po këtë Kryeministër, apo dhe Kryeministrin e mëparshëm, pse ata pengojnë qytetarët të ndërtojnë me leje të rregullta. Ata s’pushojnë ditë-natë së kërcënuari Edi Ramën, që ai të përdorë pushtetin e tij për të bllokuar Frangajn. Dhe i kërkojnë Kryeministrit të shkelë ligjin për të bllokuar Frangajn, në këmbim të mbështetjes, në të kundërt betohen se do të na ketë kundërshtarë. Ata harrojnë se edhe nëse e bindin Kryeministrin të shkelë ligjin kundër meje, ka edhe Prokurori, ka edhe gjykatë. Edhe në mos ka sot, do të ketë një ditë. Pronën time nuk e prekin dot.

Këta gjobëvënës, që nuk mbajnë as kapuça të zinj në kokë, por me gjysma lapsash e tema të dala boje, mendojnë se mund të më kompleksojnë me shpifjet e trillimet e tyre, por gabohen. I kam mundur dhe do ti mund si tash 25 vjet, se kudo ku kam punuar kam krijuar një ndërmarrje të suksesshme. Kam bërë gazetën më të madhe në Shqipëri, kam bërë revistën më të madhe në Shqipëri dhe kam bërë televizionin më të madh në Shqipëri, e ndër shqiptarë.

Temat dhe gjysëm lapsat mbahen mend vetëm si sharës dhe si dështakë, kudo ku kanë punuar dhe çfarëdo që kanë bërë.

Unë mund të kem 100 të zeza, mund të kem mbajtur qëndrime të drejta apo të gabuara ndër vite, por gjithmonë ka qene bindja ime në vendimet e mia. Asnjëherë dhe askush nuk mund të thotë që kam mbështetur apo kam sulmuar dikë për ti vënë gjobë, siç po bëjnë rektori i shpifjes dhe fotokopja e tij gjysëm lapsi i vogël. Mero Baze u prish me Kryeministrin Sali Berisha se ky i fundit nuk lejoi që ti vihej gjoba 16 milionë dollarëshe televizionit “Top Channel” dhe ka vënë bast se do të prishet edhe me Kryeministrin Rama, nëse nuk i prish vilën Sandrit të televizionit Klan. Nga kjo racë vetëm këto pret, po shyqyr që janë pak dhe dhëmbët e tyre mund të kafshojnë vetëm ndonjë tregtar apo koncensionar ilaçesh, apo spitalesh.

(Marrë nga opinion.al)

SHKARKO APP