Kur bankat investojnë te sporti apo te arti, fiton gjithë shoqëria

-Analizë e gazetës KOHA JONË-

Ka raste kur një vendim biznesi shkon përtej interesit të kompanisë dhe merr vlerë publike. I tillë është bashkëpunimi i ABI Bank me Klubin e Futbollit Skënderbeu, ku banka është bërë sponsor zyrtar i ekipit korçar për sezonin 2026–2027.

Në pamje të parë është një marrëveshje sponsorizimi. Në thelb është diçka më shumë. Është shembulli se si një institucion financiar serioz mund të ndajë një pjesë të suksesit dhe fitimit të tij jo vetëm me aksionerët, por edhe me komunitetin ku vepron. Dhe kjo është një kulturë që Shqipërisë i duhet shumë më tepër.

Swiss Digital Desktop Reklama

Bankat janë ndër bizneset më të konsoliduara dhe më fitimprurëse në ekonomi. Është krejt normale që ato të kërkojnë fitim, sepse ky është qëllimi i aktivitetit të tyre. Por një bankë moderne nuk gjykohet vetëm nga bilanci financiar. Gjykohet edhe nga ajo që i kthen shoqërisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kur një pjesë e fitimit shkon për sportin, kulturën, arsimin apo talentet e reja, atëherë kemi të bëjmë me një model më të përgjegjshëm biznesi.

ABI Bank po jep pikërisht këtë shembull

Skënderbeu nuk është thjesht një skuadër futbolli. Është pjesë e identitetit të Korçës, një klub me histori, traditë dhe një lidhje të fortë me tifozët. Të mbështesësh Skënderbeun do të thotë të mbështesësh edhe qytetin, të rinjtë që ëndërrojnë të bëhen futbollistë dhe një traditë të rëndësishme të sportit shqiptar.

Drejtori i Përgjithshëm i Biznesit në ABI Bank, Igli Sulaj, e ka përmbledhur mirë filozofinë e këtij partneriteti kur thotë se mbështetja e sportit është investim në komunitet, energji, talent dhe të ardhmen e të rinjve. Kjo është ajo që duhet të kuptojnë edhe kompanitë e tjera të mëdha.

Nuk mjafton vetëm të fitosh në Shqipëri. Duhet edhe të investosh te Shqipëria. Nëse një bankë ka rezultate të mira financiare, është pozitive që një pjesë e tyre të kthehet në investim social.

Në një ekip futbolli. Në një akademi për fëmijët. Në një aktivitet kulturor. Në art. Në arsim. Në projekte që krijojnë modele pozitive. Sporti, në veçanti, ka një fuqi të jashtëzakonshme edukimi. Ai mëson disiplinën. Respektin për kundërshtarin. Punën në skuadër. Këmbënguljen. Mëson edhe të fitosh, por edhe të pranosh humbjen.

Në një shoqëri ku shpesh diskutojmë për problemet e të rinjve, dhunën, mungesën e modeleve dhe largimin nga aktivitetet sportive, investimi i biznesit në sport është edhe investim social.

Prandaj rasti i ABI Bank nuk duhet parë thjesht si reklamë e një banke në fanellën e Skënderbeut. Duhet parë si një shembull për t’u përhapur. Dhe për dreq, shumë banka, vetëm duan të mbushin arkat e tyre me para dhe harrojnë që diçka mund ta investojnë për shoqerinë shqiptare.

Sa më shumë kompani të mëdha të investojnë në sport dhe kulturë, aq më shumë përfiton shoqëria shqiptare.

Biznesi fiton imazh. Klubi fiton mbështetje. Të rinjtë fitojnë mundësi. Komuniteti fiton aktivitet dhe identitet. Në fund fitojnë të gjithë. Kjo është arsyeja pse sponsorizime të tilla duhen përshëndetur publikisht. Jo sepse bankat kanë nevojë për lavdërime, por sepse Shqipëria ka nevojë për një kulturë të re të përgjegjësisë së biznesit.

Një kulturë ku suksesi nuk matet vetëm me sa fiton, por edhe me sa i kthen shoqërisë. ABI Bank, me mbështetjen për Skënderbeun, ka bërë një veprim të duhur. Do të ishte mirë që ky shembull të ndiqej edhe nga banka dhe kompani të tjera. Sepse një pjesë e fitimit që shkon për sportin, kulturën dhe të rinjtë nuk është para e humbur.

Është investim në Shqipërinë e nesërme.

Dhe ABI BANK dha e para shembullin se si një pjesë të fitimit e jep për shoqerinë!

Kemi parë disa banka që vetëm gëlltisin e gëlltisin qindra milionë euro, por rasti i një banke në Tiranë, për turp, kur familjari iu drejtua bankës për një overdraft urgjent për fëmijën që e kishte klient se duhej operuar jashtë shtetit për zemrën, banka jo vetëm ia vonoi, por edhe ia dha me maksimumin e interesit. Dhe djali vdiq! Pra ka edhe kësisoj bankash në Tiranë!

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?