Kur mallohem për Gjikë Kuqalin, kuvendoj me Jusuf Alibalin…
Përsiatje në vend të In Memoriam, nga cikli “Gazetar midis dy shekujve”-
Nga Kristo Mërtiri/Kështu më thosh 17 vjetë më parë në Tiranë, një veteran fjalëqëruar e ish nxënës i Liceut të Korçës, për partizanin e intelektualin erudit jo dosido në fushën e historisë, letërsisë, drejtësisë e gazetarisë. Por edhe një eseist i veçantë e dinjitoz. Vështirë të gjesh tjetër si i paharruari Jusuf Alibali. “Besnik i idealeve të Lirisë e Demokracisë së vërtetë”. Burgosur e internuar nga qeveritë fashiste, naziste, moniste e pluraliste ! Një nga autorët seriozë të Historisë së Shqipërisë, vlerësuar me Çmimin e Republikës. Gjithnjë i qeshur e humorhollë. Asnjëherë nuk u mbyt në puset e thella të dëshpërimit që i dhanë poshtërsisht e padrejtësisht të tjerët e marrosur. Karakter stërralli i rrallë përmes një jete plot dallgë e stuhi egërshane. Një emër i pastër që lëshoi dritë atdhetarie në qiellin e Luftës së shenjtë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Disa breza me juristë e gazetarë, me krijues, studiues e historianë, e kishin si model të njeriut të mirë e aspak nursëz, pa huqe, punëdashës, modest, burrëror e zemërbehar. Penëburonjat e tij nuk thahen me një a më shumë shkrime gazete. Adivija e tij e shtrenjtë (bashkëshortja e pathyer që Jusufi e thërriste ëmbël Viki në shtëpi e në poezi, i la pas tetëdhjetat bashkë me rolin e famshëm të Mamicës te filimi “Skënderbeu”), pak ditë më parë më dhuroi një tufë me libra të profesor Alibalit… Por mua, dje më trokiti herët agu i mëngjezit. Më trokiste pa pushim ajo fjalia dëftore e shpirtërore e fillimvjeshtës 1999 :
-Më dëgjo pak, miku ynë. Kur mallohem për gazetarin dëshmor, Gjikë Kuqali, unë kuvendoj me Jusuf Alibalin…
Shokë e luftëtarë të një istikami faqebardhë përballë Lirisë e Demokracisë. Ëndërrimtarë e optimistë të pandreqshëm për një Botë të Re pa pushtues, pa shtypës e të shtypur. Fundvjeshta e dytë shënonte 23 Tetor. 1944 ! Ideale të njëjta. Fate të përbashkëta. Degë të një trungu. Pena drithëruese, realiste e shokë burgu. Antifashistë e antinazistë të sprovuar. Mëmëdhetarë të kulluar… Ashtu plot plagë e mundime në zemër e në trupin e tij imcak, Gjikë Kuqali po kapërcente pragun e burgut të Tiranës, me pranga në duar. Pranvera e fundit pa zogj këngëtarë e shtegtarë, por me plot krisma, terror, ultimatum, trekëndsha me litarë në krye, udhë e rrugica të përgjakura nga kufoma të pafajshme qytetarësh. Ish redaktori i revistës “Kushtrimi i Lirisë”(e pas Çlirimit,”Zëri i Rinisë”), po syrgjynosej kokë e këmbë në pranga drejt Kampit famëkeq të Prishtinës. Udhëtimi i fundit nëpër udhët e rrudhosura, në Tiranën e barrikadave flamurmbajtëse kundër fashizmit e nazizmit. Po syrgjynosej një nga udhëheqësit e urtë e të mençur të djalërisë kryeqytetase.(Ku ta dinte Gjika ynë, se vëllai i tij Thoma po ndizej pishtar lirie te obelisku botëror në Mathauzen!). Pas atij rrëmbimi, miku i mirë shkodran, Jusufi, do të hidhej në Dajt e në Pezë. Drejt e në rreshtat partizane të Brigadës XXII Sulmuese të UNÇSH. Nuk e panë më kurrë njeri-tjetrin ! Gjika torturohej e tretej brenda telave me gjemba të kuçedrës shfarosëse në Prishtinë. Ndërsa Jusufi luftonte krah për krah pezakëve që mbushën batalionet për Shqipërinë e lirë. Në Ndroq, Shijak, Lekaj, Rrogozhinë – Peqin, Mamurras – Milot, Lurë, në Çlirimin e Mirditës, Pukës e Shkodrës loke. Dhe gjer në Podgoricë e Vishegrad… Në torbën partizane me fishekë, kishte edhe një fletorkë shënimesh që bie erë baruti sot e kësaj dite. Ditar i mbajtur në pushimet mes betejave. Por në atë torbë ruhej fort edhe një letër e Gjikës, shkruar në qelinë e burgut. Në fund është nënshkrimi : 17 Qershor 1944. Ish gjetur dy ditë “pasi Gestapoja rrëmbeu shokët tanë” për t’i degdisur në Kampin e vdekjes. I drejtohej një vajze të dashur…
-Ajo, veç, mbeti në histori si një dokument i rrallë njerëzor, si një ngjarje e veçantë letrare, si një dëshmi e gjallë e pastërtisë morale dhe e angazhimit qytetar,-rrëfente jo pa emocione, Jusufi.-Ishte një “kredo” politike e letrare e një zemre të madhe e të kristaltë, e një luftëtari të paepur… Atje nuk ka beletristikë, nuk ka ofshama, lektisje e betime dashurore…Kur lexon këtë letër të shkurtër të shkruar për ngut, por shumë të ngjeshur për thellësinë dhe çiltërsinë e ndjenjave e të mendimeve, për atë hov të sinqertë flijimi në emër të njerëzores, pa dashur të vijnë në kujtesë fytyrat e francezit Gabriel Perri; të çekut Julius Fuçik (I cili, në prag të varjes, shkruante :”Njerëz, unë ju kam dashur, jini vigjilentë !”) etj. Ata po jepnin jetën që të fitonte jeta. Veç me këtë letër dhe me aktin e tij sublim a nuk ngrihet kështu Gjika në majën e pavdeksisë, e , pa e tepruar, të bëhet shok mendimi me atë poetin e madh që pati thirrur një shekull më parë se për dashurinë edhe jetën e falte, kurse për Lirinë edhe dashurinë ?…
Vendosmëri e ndërgjegjshme patriotike, idealiste e revolucionare, që nuk u ngujua vetëm brenda pasionit të militantit a poetit. Mbi të gjitha, Gjika ishte i talentuari i ndjeshëm i “Këngës së re që do dërmojë/ e do rrëzojë çdo gjë të mykur/ çdo gjë që rron e s’di pse rron”. Bashkë me Qemal Stafën, Shevqet Musarain e Mihal Durin, themeluan e redaktuan të bekuarën emërbukur “Kushtrimi i Lirisë”. Dhe do të bëhej një nga anëtarët më aktivë të rrethit letrar Antifashist. Jo rastësisht Jusufi e pagëzon me të drejtë si “letrar i revoltës” që adhurohej e mbrohej nga “turma e leckosur dhe e uritur” e punëtorisë në minierën e Kërrabës. Për këtë flet shumë edhe dimri i fundit 1943-44. Ishin ata njerëz të thjeshtë që i ofruan strehë e përkujdesje vëllazërore për të mos rënë në kthetrat e fashistëve. Ishin ata punëtorë që “e fshehën, e ushqyen, e shëruan dhe e mbrojtën duke vënë në rrezik veten dhe fëmijët e tyre. Dhe këtë ata nuk e bënë aspak se ishte “biri i padronit”, se u kish “rënë në besë”, por se ishte bir i popullit, shoku i tyre, bashkëluftëtari i tyre…”. Dashuria e mirënjohja punëtore për Gjikën rritej natyrshëm te ata shpirtra të vuajtur e të pastër si bora në male. Aq më tepër kur ndaleshin te tregimet e tij të shkurtra “Qiriu”,”Portokajt”,”Rrugëve”,”Budallai që këndon”,”Hije të mbrëmjes” etj. Ligjërimete para hodhën dritë në Liceun e Korçës, te revista shkollore “Koha e Re”. Profesori i nderuar përmetar, Stefanaq Pollo, e veçonte gazetarin e ardhshëm dëshmor edhe si themelues e redaktor kryesor të saj. Qarkullonte e daktilografuar dorë më dorë, brenda e jashtë Korçës. Por censura e egër fashiste ia preu pabesisht e shpejt rrugën kësaj shkëndije të vogël. “Por shkëndijat u shtuan”! E u bënë pishtarë të vërtetë, armë të luftës çlirimtare. Që nga numri i parë i gazetës “Zëri i Popullit”,”Kushtrimi i Lirisë”,”Bashkimi”,”Gruaja Shqiptare”, gazetat e xhepit nëpër batalionet e brigadat partizane etj. Dhe nuk ishin pak, por gati 60 të tilla që shkonin dorë më dorë nëpër shtigje malesh, në fshatra e qytete…Por lexuesit shqiptarë brenda e jashtë kufirit shtetëror, gjatë 5 dekadave kuvendonin kryesisht me rrëfimet e Jusuf Alibalit. Askush tjetër si ai nuk e nxorri në dritë portretin njerëzor e letrar të Gjikë Kuqalit. Po shënimet e fundit, a e dini ku i hodhi vallë ? Gjatë internimit të zi në Labovë të Odries; në Kutalli e Sheqëz të Beratit dhe në Tiranë…Vula e kohës as shuhet e as retushohet : “Mjaft më ! Bota do këngë të re…”(1941). La pak fletore, por shumë frymëzime rinore. Fjala vjen, aktorët e sotëm nuk e dinë se ajo pjesa me një akt e titulluar “Qemal Stafa” është shkruar e vënë në “skenë” brënda mureve të burgut ! Pa regjisorë, pa skenografë, pa grimierë e pa suflerë. Dritën e botimit e pa pas 30 vjetësh te “Zëri i Rinisë”… Krijimtari prushndezur që u “qëndron rrebesheve të harresës”. Rrebeshe që i mposhti e rrëfeu gjersa mbylli sytë në vitet dy mijë, eruditi e fisniku Jusuf Alibali. Njeriu që dha shumë e mori fare pak nga kjo botë jallane : “…Se në këtë luftë mjer’ ai që ligështohet e dëshpërohet, e thyhet, e dorëzohet. Mjer’ ai !”. I shkroi kur kaluan 10 vite internim. Veçse shënimet për Gjikën i quajti thjesht “syzime”, ku ne të gjallët ulemi dhe marrim diçka të çmuar si nga hojet e mjaltit…
Rrodhën 72 tetorë. Mosha e Gjikë Kuqalit (vetëm 23 vjeç ! ) përkoi me datëm e pushkatimit : 23 Tetor 1944 ! Krah për krah me 104 dëshmorët e Kampit të Prishtinës. Ashtu i tretur si “Qiriu” i penës së tij e në ethe të rënda. Mezi qëndronte në këmbë. Kur gardiani katil po e ngrinte dhunshëm, shpërtheu gjoksi i shokëve. Ishte këngë e dashur partizane “N’ato maja rripa-rripa…”. Ndërsa në fund, këngën e përcolli një thirrje tronditëse e burrërore : Mbahuni shokë !… Por breshëria e armëve naziste nuk i kurseu kockat e njoma të tij ! 104 bij nënash shamizeza i hodhën në një gropë të mëdhe. Ishte 23 Tetor, në vigjilje të Çlirimit. Populli dhe historia nuk harrojnë. “Vdiq i ri e mbeti i ri”,-thoshte shpesh Jusufi.-Sepse në natën e zezë fashiste, deshi të shprehte hovet e zemrës djaloshare, luftën për shembjen e botës së vjetër… Po binin pikat e para të një shiu të butë. Si pika pikëllimi për ishkolegun tonë që e shkroi biografinë e vet me gjak e sakrifica. Apo ishin pika loti e nderimi nga qielli i Atdheut dhimbjeshumë ?!…
KOHA JONË SONDAZH

