Kur përfundon afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës? Albin Kurti akuzon opozitën
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, afati 34-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundon nesër në mesnatë.
“Kjo pasi që, sipas Rregullores së Punës së Gjykatës [Rregulli 29(1b)], kur periudha shprehet në ditë, ajo llogaritet nga dita vijuese pas ngjarjes, në këtë rast – vendimit përkatës”, shkroi ai në Facebook.
Cakolli tha se meqë aktgjykimi për këtë çështje hyri në fuqi më 25 mars, afati fillon të rrjedhë nga 26 marsi “dhe dita e 34-të përmbyllet nesër në mesnatë”.
Në vazhdim të fjalës së tij, Kurti tha se përgjegjësia e partive për çështjen e presidentit është në bazë të numrit të votave që kanë marrë.
“Në terma të përqindjes, LVV i ka 51.1 për qind të përgjegjësisë për zgjedhjen e presidentit, por nuk e ka 100 për qind”, tha Kurti.
Ai shtoi se fakti që një parti ka më pak deputetë, nuk e përjashton nga përgjegjësia në zgjedhjen e presidentit.
Kurti tha se bazuar në peshën politike, si parti fituese, LVV-ja ka ushtruar përgjegjësinë e saj, duke i ftuar në takime krerët opozitarë e duke ofruar propozime.
“LDK dhe PDK nuk ka marrë iniciativë, ndonjë propozim, ndonjë emër. Kur iu ofrua mundësia konkrete, kanë zgjedhur heshtjen”, tha ai.
“Fakti që opozita nuk ka marrë asnjë iniciativë për zgjedhjen e presidentit është dëshmi e qartë e dështimit të marrjes së përgjegjësisë proporcionale”, shtoi Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi Lidhjen Demokratike të Kosovës për, siç tha, “përbuzje të ofertave” për marrëveshje politike.
Ai këtë e tha në fjalimin që ai po e mban në seancën e Kuvendit, të thirrur për të bërë diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit.
Në këtë seancë të bojkotuar nga opozita, Kurti tha se partitë opozitare kanë bërë bllokada të njëpasnjëshme institucionale për ta “dëmtuar fituesin e zgjedhjeve”.
“Marrëveshje politike dhe kompromisi për koalicion qeverisës është gjëja më normale… Kompromisi nuk është pazar për të rehatuar figura politike”, tha ai.
Ai shtoi se në marrëveshje politike duhet pasur parasysh dallimet në peshën elektorale, gjegjësisht votave që ka secila parti.
Më 25 prill, LVV-ja iu ofroi partive opozitare, gjegjësisht PDK-së dhe LDK-së kohë deri të dielën t’i paraqesin së bashku tre kandidatë jopartiakë për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Këto parti ndërkohë e kanë akuzuar LVV-në dhe Kurtin se po bëjnë propagandë dhe show edhe në thirrjen e kësaj seance për diskutim.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se mungesa e opozitës në seancën për çështjen e presidentit, prodhon pasoja: “e bllokon një procedurë kushtetuese dhe e shtyn vendin drejt një krize të panevojshme”.
Ajo tha se pas seancës së 5 marsit – që u ndërpre në mungesë kuorumi – iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se Gjykata tha se për pjesëmarrjen e deputetëve në seanca vetëm se ka vendosur paraprakisht.
“Përgjigja ishte e qartë, kjo çështje është vendosur njëherë. Nuk ka hapësirë për shmangie nga ky detyrim”, tha Haxhiu.
“Deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç kur kanë marrë leje paraprake”, theksoi ajo.
Ajo tha se nuk pretendon t’ua ndryshojë qëndrimin partive opozitare, por sipas saj, qytetarët presin që deputetët të marrin pjesë në procesin për zgjedhjen e presidentit.
E marta në mesnatë çon Kosovën në zgjedhje të parakohshme
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që procesi i zgjedhjes së presidentit të mund të vazhdojë. Lëvizja Vetëvendosje, me partnerët në qeverisje, pakicat jo serbe, ka vetëm 66 ulëse në Kuvend, nga 120 vende sa i ka parlamenti i Kosovës. Pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit si presidente dhe dështimit të Kuvendit që ta zgjedhë presidenten/in e ri, më 4 prill, sipas Kushtetutës, ushtruese e detyrës së presidentes u emërua kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nuk mund ta ushtrojë këtë post më shumë se gjashtë muaj.
Vetë Haxhiu, e cila vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, disa herë u ka bërë thirrje partive politike për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Të martën në mesnatë (28.04.) përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës; në të kundërtën vendi duhet të mbajë zgjedhje të reja të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh, që do të ishin të tretat pas atyre në shkurt dhe në dhjetor të vitit 2025.
KOHA JONË SONDAZH
Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?
Results
Vota totale: 9259

