Kurbani i radhës? Larja e hesapeve vret rininë, pjesa tjetër ikën me gomone në Angli

“Gjaku i marrë nuk falet”, një ligj kanunor dhe i bandave, vijon të përgjakë kryeqytetin e veriut, Shkodrën. I fundit i vrarë nga hesapet mes rivalëve në Shkodër, është 19-vjeçari Erjon Xhenje. Ai është ekzekutuar nga djali i Ismetit, Bajram Çekorja. Ky i fundit ndonëse është në kërkim për përfshirje në një tjetër atentat, nuk është penguar që të marrë hakun për vrasjen e babait shumë pranë derës së shtëpisë, 2 shtatorin e këtij viti.

Bajram Çekorja vrau të riun, pasi Erjon Xhenje i nxori në pritë babanë ditën që e ekzekutuan. Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht, po ajo që mund të thuhet është se kjo është një nga pistat kryesore që ka në tryezë grupi hetimor. Grupi hetimor ka arritur që të sigurojë provat që vërtetojnë se pas ekzekutimit të 19-vjeçari qëndron Bajram Çekorja, përfshirë këtu edhe kamerat e sigurisë në zonë.

Nëna e 19-vjeçarit, Elvira Xhenje, ka thyer heshtjen dhe prek me fjalët teksa përshkruan djalin e ndjerë. Për të ”faji” i djalit ishte se kushërinjtë e tij janë me precedentë penale. Mes të tjerash ajo i ka bërë thirrje shtetit që të ofrojë mbrojtje.

”Fatkeqësia e djalit tim ishte se kushëinjtë e tij janë me precedentë penale. Ky fakt i dha të drejtën dorës kriminale që t’ia marrë pa mëshirë jetën djalit tim. Ky fakt i dha të drejtë portaleve që ta godasin për herë të dytë Erjonin duke cënuar dinjitetin e tij me informacione të pavërteta dhe duke trazu shpirtrat e familjarëve sërish”,-thotë nëna.

Kush do të jetë viktima e radhës? Do të ketë fund larja e hesapeve mes bandave? Vrasjet po kryen kaq lehtësisht saqë është koha që shteti të dalë në rrugë, të mos bëjë më propagandë nëpër zyra me takime, duke cituar fjalët: Siguri, rend dhe fytyrë e re për Policinë e Shtetit. Pjesa tjetër e rinisë po “hedh” jetën në det, duke ikur me gomone për një jetë më të mirë në Angli. Shqipëria është peng i bandave dhe i shtetit që rininë nuk e ka në defter, dhe e lë në mes të detit, në betejën për të qenë gjallë në gomonen e radhës.

Reagimi i plotë i nënës

Jam Elvira Xhenje, nëna e të ndjerit Erjon Xhenje, të riut që u vra në Shkodër më datë 18.09.2022. Vrasja e djalit tonë ka qenë një tronditje e madhe për familjen tonë, por jo vetem. Dhimbjen për djalin tim e kam parë në sytë e gjithë prindërve që në sytë e mi kanë parë veten e tyre, sesi një fëmijë të pafajshëm i merret jeta me pa të drejtë.

Dhimbjen për Erjonin e kam parë në sytë e të rinjve që e kuptojnë sesa e pasigurtë dhe e pa vlerë është jeta në Shqipëri. Fatkeqësia e djalit tim ishte se kushëinjtë e tij janë me precedentë penale. Ky fakt i dha të drejtën dorës kriminale që t’ia marrë pa mëshirë jetën djalit tim. Ky fakt i dha të drejtë portaleve që ta godasin për herë të dytë Erjonin duke cënuar dinjitetin e tij me informacione të pavërteta dhe duke trazu shpirtrat e familjarëve sërish.

Erjon Xhenje ka qenë student i degës fizioterapi. Ka qenë një i ri me angazhime në jetën personale dhe shoqërore. Erjoni është edukuar me vlera dhe i ka manifestuar në familje dhe në rrethin e tij të pastër shoqëror. Kërkoj nga shteti drejtësi për djalin tim.

Kërkoj gjithashtu që familja ime të merret në mbrojtje, pasi ndihemi të pambrojtur. Erjoni ka qenë nje djalë besimtar. Jam e sigurtë që ai është lule në xhenet. Allahu e pastë në mbrojtje pasi në këtë jetë ka padrejtësi.

SHKARKO APP