Kurbin, arrestohen në mesnatë dy vëllezërit Cara që vranë 20-vjeçarin

Mesnatën e së premtes, ora 1:00, komisariati i Kurbinit ka arrestuar vrasësit e 20-vjeçarit Ervin Zyba nga fshati Gjorm i Kurbinit.

Ata janë vëllezërit Elgert dhe Dorjan Cara, të cilët ishin shpallur në kërkim.

Ngjarja

Viktima Ervis Zyba ishte shok i shtetasit Xhevahir Lika dhe të dy së bashku kanë shkuar në lokalin e natës “Qershia” , në lagjen Nr.6 Kurbin, lokal në të cilin kishte muzikë live. Pasi kanë qëndruar rreth katër orë në këtë lokal, të dy kanë dalë nga lokali rreth orës 01:30 dhe kanë hipur në automjetin e tyre të markës Mercedez Benz me targa AA898MR. Në atë moment, tek mjeti janë afruar Elgert Cara dhe Dorjan Cara, të cilët janë konfliktuar me Xhevahir Likën.

Të dy palët kanë qenë të armatosur dhe në debat e sipër, Elgert Cara ka qëlluar me armë automatike, ndërsa Dorjan Cara ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të makinës ku ishin Xhevahir Lika dhe viktima Ervis Zyba. Xhevahir Lika është kundërpërgjigjur me armë zjarri pistoletë. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë Ervis Zyba 20 vjeç, lindur dhe banues në Gjorme të Bashkisë Kurbin.

Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar Xhevahir Lika 21 vjeç, banues në Gjorme – Kurbin për veprën penale ” Prodhim dhe mbajtje pa leje te armëve luftarake e municionit”; Drilon Leka(pronari i lokalit) 27 vjeç, banues në Shullaz – Kurbin për veprën penale “Moskallëzim krimi”, si dhe u shpallën në kërkim Elgert Cara 19 vjeç, banues në Zheje – Kurbin si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe ” Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”; Dorjan Cara 25 vjeç, banues në Zheje – Kurbin si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe ” Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

SHKARKO APP