Kurbin/ Plagos 22-vjeçarin me armë dhe i grabit makinën, policia në ndjekje të autorit
Policia e Lezhës ka zbardhur detaje të reja mbi plagosjen me armë zjarri të një 22-vjeçari në Sanxhak të Kurbinit, ndërsa ka shpallur në kërkim 47-vjeçarin Klodjan Ndoj, i cili dyshohet si autori i ngjarjes.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur më 25 korrik 2026. Pas veprimeve të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, arritën të identifikojnë autorin e dyshuar.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se 47-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në këmbë shtetasin V. P., 22 vjeç, banues në Sanxhak. I riu u transportua për ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se, pas plagosjes, autori i dyshuar nuk është larguar duarbosh. Ai dyshohet se, nën kërcënimin e armës, i ka marrë automjetin 22-vjeçarit dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, duke humbur gjurmët.
Gjatë këqyrjes së vendit ku ndodhi incidenti, ekspertët e policisë sekuestruan dy gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia ka ngritur grupe të posaçme pune dhe vijon kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e Klodjan Ndojt, si edhe për gjetjen e automjetit të marrë me forcë.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë ligjor të çështjes dhe sqarimin e motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, ndërsa policia u bën thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë duke dhënë çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e 47-vjeçarit.
KOHA JONË SONDAZH

