Kurti: Nuk mund t’i largojë kryetarët e komunave nga zyrat e tyre në veri të Kosovës, një bandë fashiste po na sulmon
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të mërkurën se nuk do t’i largojë kryetaret e komunave veriore nga zyrat e tyre, me gjithë kërkesat e diplomacisë perëndimore dhe protestat e grupeve serbe në veri, që u përshkuan me akte dhune ndaj forcave paqeruajtëse këtë javë.
“Kësaj bande fashiste, ne nuk ia dorëzojmë Republikën tonë demokratike. Nëse duan protestë paqësore me kërkesa për zgjedhje të parakohshme, e kanë një kryeministër që gjithë jetën ka qenë aktivist politik dhe është më se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta edhe të pajtohet me ta”, tha kryeministri Kurti.
Ai i bëri këto komente në një forum për sigurinë në Bratisllavë, ndërsa tensionet ne veri të Kosovës mbeten të larta dhe protestuesit kërkojnë largimin e kryetareve që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga serbët si dhe largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat e komunave.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë perëndimorë e kanë qortuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve, duke thënë se përdorimi i forcës për të futur në zyra kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe, dëmtoi përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha mbrëmë se “kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre”.
“Kjo që po bëj është detyra ime. Ka struktura paralele në pjesën veriore të vendit tonë. Nëse tani do të urdhëroja kryetarët e komunave që t’i lënë ato zyra dhe të shkojnë në një zyrë diku tjetër, do të ishte sikur po angazhohem për të krijuar një lloj të një strukture paralele me strukturat paralele, duke kopjuar metodën e udhëheqësve të serbëve të Kosovës. Unë do t’i bashkohesha ilegalitetit të tyre. Unë nuk mund ta bëj këtë”, tha zoti Kurti.
Ai theksoi ndërkaq se në çdo ndërtesë komunale në Kosovë janë nga disa deri dhjetëra policë në kohë normale dhe pret që kështu të ndodhë edhe në komunat veriore.
“Por përderisa është kjo turmë e dhunshme jashtë ndërtesave që kërcënon me sulme, që bënë grafite me shkronjën ‘Z’ duke treguar admirim për presidentin despotik (Vladimir) Putin dhe për agresionin rus në Ukrainë, e disa prej tyre duke qenë policë në policinë e xhandarmërinë serbe, ne duhet të kemi njësitë speciale në ndërtesat komunale”, tha kryeministri Kurti.
Të martën ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha se qeveria e Kosovës nuk është bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në veri dhe ka krijuar një krizë të panevojshme, duke dëmtuar edhe marrëdhëniet me Uashingtonin. Dëshmia e parë e kësaj tha ai, është vendimi për të për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të mërkurën se autoritetet e Kosovës mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për trazirat të cilat janë rritur ndjeshëm që kur kryetarët shqiptarë të komunave morën detyrën në zonën veriore me shumicë serbe të vendit.
Ai tha në një konferencë për shtyp në Bratislavë se shpreson që bashkë më kancelarin gjerman Olaf Scholz të takohet me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë më vonë këtë javë, duke ju referuar takimit të Radhës së Komunitetit Politik Evropian që mbahet në Moldavi.
“Ne u kemi treguar shumë qartë autoriteteve të Kosovës se ishte gabim që të shkohej më tutje me këto zgjedhje në këtë lloj konteksti, që është pothuajse një mospjesëmarrje e plotë”, tha presidenti Macron….
Beogradi i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës, vendosi javën e kaluar ngritjen e shkallës së gatishmërisë ushtarake dhe urdhëroi trupat të vendosen pranë kufirit me Kosovën.
Sekretari Blinken tha mbrëmë se presidenti Serb Aleksandar Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gatishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’u bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme”.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropianm Josep Borrell, i cili të mërkurën u takua me kryeministrin Kurti në Bratisllavë, tha të martën se është vënë në përpjekje për të organizuar një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri.
Kryeministri Kurti tha sot se është i gatshëm të takohet me presidentin serb për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së arritur në muajin mars me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve./VOA/