Kush do ta marrë Dritan Rexhepin? Shqipëria, Italia, Belgjika dhe Anglia duan ta ekstradojnë

Shqipëria kërkon të vënë para drejtësisë Dritan Rexhepin, baronin e drogës të arrestuar pak ditë më parë në Turqi. Por Shqipëria është vënë në garë me disa vende të Bashkimit Europian si Italia, Belgjika dhe Britania e Madhe për të ekstraduar narko-bosin, Dritan Rexhepin.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se Ministria kërkon që ta përfundojë këtë proces përpara autoriteteve italiane, shtet në të cilën Rexhepi është gjithashtu në kërkim. “Është një marrëdhënie që ne e kemi me autoritetet turke të drejtësisë. Ministria e Drejtësisë në rastin konkret bën ndërmjetësin për ta marrë Dritan Rexhepin”, u shpreh Manja.

Mëngjesi i 10 nëntorit e gjeti bosin e narkotrafiku të prangosur në një vilë në Turqi vend në të cilin ai kishte hyrë përmes një pasaporte kolumbiane të falsifikuar. Në Shqipëri Dritan Rexhepi po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, në 17 janar 2020.

I konsideruar si mjeshtri i arratisjeve nga burgjet shqiptare, italiane dhe belge, Dritan Rexhepi në mars 2006, u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998.

SHKARKO APP