Kush është Dritan Leli, kandidati që synon të jetë kryebashkiaku i Vlorës

 

Partia Socialiste zyrtarizoi sot, nëpërmjet një dalje për mediat të deputetes Valentina Leskaj, kandidaturën për Bashkinë e Vlorës, të cilën vendosi t'ja besojë Dritan Lelit. Po kush është Dritan Leli? Më poshtë  ju njohim me profilin e doktorit që synon të dalë fitues në zgjedhjet vendore të 21 qershorit për bashkinë e Vlorës.

Dritan Leli ka lindur në vitin 1969 në qytetin e Vlorës, është i martuar me zonjën Suela Leli dhe është baba i dy fëmijëve. Jetën e tij, Leli ia ka dedikuar studimeve në fushën e mjekësisë. Në vitin 2014 ai  ka marrë titullin Doktor i Shkencave nga Universiteti “La Sapienza” në Romë.

Pas përfundimit të studimeve Leli iu përkushtua karrierës akademike, por pa lënë pas dore ushtrimin e aktivitetit të mjekut. Brenda pak vitesh  ai përfundoi  specializimin pasuniversitar në Imazheri në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Athinës . Në përfundim  u bë bashkëpunëtor Shkencor në Katedrën e Radiologjisë të Universitetit të Athinës.

Dritan Leli ka kryer trajnime të ndryshme si në Gjermani, Francë, Austri,  Itali, Greqi, Poloni etj. Punimet shkencore të tij janë prezantuar në katedra të ndryshme europiane si Franca, Austria Italia, Greqia, Çikago apo SHBA.Karriera e tij ka qenë e përqëndruar  mes studimeve të thelluara në fushën e mjekësisë dhe ushtrimit të aktivitetit në qendra të ndryshme spitalore në Shqipëri, Greqi dhe Itali.

Aktualisht Dritan Leli ushtron detyrën e mjekut në QSUT “Nënë Tereza”.  

SHKARKO APP