“Kush thotë se duhet të kisha qëlluar në ajër, është idiot”

 

Francesco Sicignano, autori vrasjes së 22-vjeçarit shqiptar Gjergj Gjoni, reagon ashpër dhe justifikon krimin e rëndë. Dyshime se i riu shqiptar nuk shkoi për të vjedhur, por për të kërkuar paratë e punës së papaguar. Babai i Gjonit: “Me ktheni kufomën e djalit, ai nuk ishte grabitës”.

Disa e duartrokitën si hero, se kishte lënë të vrarë një “grabitës”, ndërsa tashmë 65-vjeçari italian dyshohet të jetë vrasës gjakftohtë.

Mediat italiane shkruajnë se banorët e Vaprios në Itali, dëshmojnë se pensionisti italian njihej me shqiptarin, Gjergj Gjoni.

Ndërkohë në një reagim të pasdites së djeshme, autori i ngjarjes, Francesco Sicignano ka shokuar me deklaratat e tij, kur u shpreh se kush mendonte se duhej të kishte qëlluar në ajër, ishte idiot.

“Nuk dua të flas në televizion për këtë histori, sepse ju gjithmonë bëni thashetheme. Po flas në kundërshtim me këshillën e avokatit tim”, – tha pensionisti.

Ai më tej tregoi për problemet që i kanë ardhur në familje pas kësaj ngjarjeje të rëndë.

“Gruaja ime merr ilaçe gjumi, unë fle pak dhe nuk fle natën. Fle vetëm kur është ditë dhe do të jetoj edhe sa kohë të ma lejojë këtë gjë fiziku. Vajza ime u pushua nga puna sepse nuk fle mjaftueshëm, Kjo nuk duhet të kishte ndodhur”, – tregon ai duke folur për “Canale 5”.

“Kush thotë se duhet të kisha qëlluar në ajër, është idiot”. Në fakt, ngjan se tashmë jo vetëm po mbrohet në çdo formë, por justifikon në çdo formë krimin, madje  mënyra si ka treguar momentet e fundit të të riut tregon mungesën e theksuar të pendesës, duke shtuar se viktima nuk meriton respekt.

“Për mua do të ishte shumë më mirë që të kishte mbijetuar. Kur thirra ambulancën, ai merrte ende frymë. Por, mos më fajësoni mua ishte faji i atij, sepse nuk duhet të hynte në shtëpinë e tjetrit natën”, – përfundoi ai.

Por ende ka shumë dilema ky krim, pasi disa dëshmitarë thonë se i riu shqiptar vetëm 22 vjeç kishte punuar më parë për pensionistin dhe nuk ishte paguar prej tij.

Përveç dëshmive, edhe ekspertizat e kryera në vendin e ngjarjes nuk korrespondojnë me deklarimet e autorit Francesco Sicignano.

Policia italiane ka ngritur edhe dy versione për ngjarjen. E para është që shqiptari të jetë vrarë që kur po ngjiste shkallët jashtë shtëpisë, çka përforcon dyshimin se mund të ketë qenë vrasje me paramendim.

Ndërsa e dyta është që të jetë vrarë në kuzhinën e pensionistit. Mirëpo nuk ka asnjë provë që dera e jashtme e shtëpisë të jetë hapur me dhunë.

Nëse shqiptari ka hyrë brenda dhe është vrarë në kuzhinë, atëherë ai është lënë të hyjë brenda nga i zoti i shtëpisë. Ndërkohë, dje ka reaguar edhe babai i 22-vjeçarit Gjoni nga Puka.

“Shteti të zbardhë të vërtetën dhe ju lutem të më ndihmojnë me kthimin e djalit të pajetë në shtëpi. Kemi shumë dhimbje dhe nuk mund ta përballojmë edhe mungesën e trupit të pajetë. Ne kemi hapur mortin dhe nuk do ta mbyll deri sa të më vijë trupi i Gjergjit”.

Kështu deklaroi Mark Gjoni, babai i 22-vjeçarit të vrarë një javë më parë në Itali. Fillimisht u dyshua se ai kishte shkuar për të vjedhur në shtëpinë e pensionistit dhe ky i fundit e qëlloi për vdekje me armë zjarri për vetëmbrojtje, por në orët e fundit gjithnjë e më shumë po shtohen dyshimet për një vrasje me paramendim për arsye ende të panjohura, apo vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes apo mbrojtjes së pronës.

I moshuari italian, për një pjesë të politikës dhe qytetarëve u kthye në “hero” që “mbrojti” banesën dhe jetën e të afërmve.

Gjithsesi, ekspertiza të tjera, dëshmi dhe prova shtesë pritet që t’i bashkëngjiten dosjes për të përcaktuar si dinamikën e krimit, ashtu edhe motivet.

Në Itali janë të ndarë për mënyrën si veproi 65-vjeçari. Disa e përkrahin duke e justifikuar vrasjen, ndërsa të tjerë kundërshtojnë duke thënë se duhet të lajmërohej policia, ose të qëllohej në ajër për ta trembur.

Ajo që është konfirmuar mbetet se 22-vjeçari Gjoni nuk ka qenë i armatosur, pasi si në banesë ashtu edhe afër trupit që u gjet në shkallët e jashtme të vilës, nuk është gjetur asnjë armë.

SHKARKO APP