Kushëriri i Gadafit: Perëndimi shtypi islamin në Shqipëri!?

“Pesë vjet pas revolucionit demokratik të kryer nga opozita libiane me mbështetjen e  NATO-s dhe SHBA-së, vendi është shndërruar në një djep të terrorizmit”.

Ish gjenerali i Ushtrisë së Libisë dhe kushëriri i Muammar Gadaffit, Ahmet Gaddaf al Dam, ka dhënë një intervistë për Russia Today ku shpreh mendimet e tij për Libinë dhe “reformat” që Libia, dikur një vend i begatë, ka kaluar.

“Libia është një vend që ka qëndruar në frontin e gjithë kontinentit dhe kishte autoritetin e saj në botë. Sot është një shtet vasal, i poshtëruar, fati i të cilës është sot i përcaktuar nga vende të tjera”, shprehet ai.

Ahmet Gaddaf al Dam siguron se burgjet e Libisë “janë stërmbushur me mijëra të burgosur”.

Në të njëjtën kohë ish ushtaraku kërkon që OKB-ja të zhvillojë një hetim të pavarur mbi ngjarjet e 2011-ës, sepse vlerëson se gjatë operacioneve ushtarake u zhvilluan një sërë shkeljesh të së drejtës ndërkombëtare.

Fitorja e forcave “demokratike” nuk i ka dhënë vendit lirinë që ideologët e luftës lëvdonin. Përkundrazi ka marrë pushtetin nga populli. Sipas kushëririt të ish lideri të Libisë, nëse Gaddafi do të kishte qëndruar në krye, nuk do të kishte pasur kaq shumë viktima, refugjatë dhe terroristë islamikë në Libi.

“Në qoftë se nuk do të ishte për pushtimin e trupave të NATO-s që erdhi në Libi për vetëm një qëllim, për të vrarë Gadafin, ne nuk do të ishim në këtë situatë”, thotë Al Dam.

Sipas tij, ngjarjet në Libi, ashtu si në Irak, i hapin dyert ekstremizmit dhe kaosit.

Kjo na kujton planin që Perëndimi zbatoi për të shtypur islamin pasi shtypi komunizmin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Ata donin të përfitonin nga fitorja e Luftës. Besonin se komunizmi ishte i rrezikshëm dhe e shtypën. Pastaj vendosën që islami ishte shumë i rrezikshëm dhe filluan të shkatërronin islamin në Afganistan, Irak, Siri, Libi, Jemen dhe më tej në Bosnjë, Shqipëri, Nigeri. Ku janë “miqtë e Libisë?” Ku është demokracia? Ku janë të drejtat e njeriut? Ku janë ëndrrat, për të cilat të rinjtë tanë dhanë jetën? Ndërkohë, Libia është duke u vrarë çdo ditë”, thotë kushëriri i Gadaffit, raporton gazeta Dita.

Sipas tij, terroristët modernë që veprojnë në Libi, Siri dhe Irak nuk kanë të bëjnë me Islamin. Të gjitha  postulatet e tyre dhe “feja” e tyre është zhvilluar në Perëndim.

“Ky virus që ka ardhur në vendet arabe dhe ka infektuar të rinjtë tanë u krijua në Perëndim. Këto grupe kanë përdhosur Islamin me veprimet e tyre. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është drejtpërdrejt përgjegjës për atë që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në vendin tonë”, përfundon Al Dam. TEMA

SHKARKO APP