Kuvendi i kërkon BE-së hapjen e negociatave me Shqipërinë
Me 104 vota edhe me ato të ”opozitës së re”, në Kuvend u votua Projektrezoluta “Për mbështetjen e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, e propozuar nga Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari dhe deputetja e PS-së, Senida Mesi.
Kuvendi kërkon që institucionet shqiptare, bazuar në parimet demokratike dhe me një përfaqësim të ligjshëm të vijojnë të përqendruar në reformat e ndërmarra. Kuvendi kërkon që të ketë rezultate konkrete në zbatimin e përparësive të vendosura nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave deri në anëtarësimin me të drejta të plota në Bashkimin Europian.
Projektrezoluta i drejtohet gjithashtu edhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian në kuadër të Sammit-it të ardhshëm të Këshillit Europiani cili do të mbahet me datat 17-18 tetor 2019, ku një ndër pikat e diskutimit në rendin e ditës do të jenë edhe vendimet për hapjen e negociatave me Republikën e Shqipërisë dhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut”.