Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për SHISH dhe administratën, opozita mungon në seancë
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të enjte me 72 vota pro ndryshimet në ligjin “Për Shërbimin Informativ Kombëtar (SHISH)”, në një seancë plenare të zhvilluar pa praninë e deputetëve të opozitës.
Seanca u mbajt ndërkohë që jashtë ambienteve të Parlamentit po zhvillohej një protestë, e shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Përveç ndryshimeve në ligjin për SHISH, mazhoranca miratoi edhe projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, i cili u votua me 71 vota pro.
Po me 71 vota pro u miratua edhe projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025, si dhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), lidhur me financimin e projektit të nënstacionit të ri të OSHEE-së në Tiranë.
Të gjitha aktet u miratuan vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës, ndërsa nuk pati vota kundër apo abstenime.
KOHA JONË SONDAZH

