Ky burrë nuk e përdhunoi vajzën e tij!
Nga Mentor Kikia-
Për ne gazetarët, një ngjarje përbën lajm kur ndodh. Por unë mendoj se këto ditë përbën lajm shumë të rëndësishëm një gjë që nuk ka ndodhur. Dhe ajo që nuk ka ndodhur është që ky burrë nuk e ka përdhunuar vajzën e tij 15 vjeçare.
Në datën 21 Maj, policia arrestoi një 48 vjecar në Golem- Durrës, Bledar Rako. Vajza e tij 15 vjeçare e kishte denoncuar për përdhunim, madje për 4 vjet me radhë.
Sapo u arrestua babai, lajmi iu përcoll mediave. Për 4 ditë me radhë, emri dhe fotografia e këtij njeriu u publikuan në portale, edicione dhe programe televizive, dhe padyshim në morinë e rrjeteve sociale. Ai mori mallkimet publike të gjithkujt që lexoi dhe shpërndau lajmin.
Por, 4 ditë pasi ishte arrestuar dhe lënë nën arrest edhe nga gjykata, ekspertiza mjeko-ligjore arrin në përfundimin se vajza nuk ishte abuzuar. Vetë vajza dhe nëna e saj, në një seancë për të vendosur urdhër mbrojtje për to, pohojnë se babai është i pafajshëm. Vajza ka pohuar se denoncimin e kishte bërë për tu hakmarrë, pasi i ati i kishte marrë telefonin, për shkak se kishte gjetur një komunikim “të papërshtatshëm për moshën e saj”. Ato nuk kërkuan urdhër mbrojtjeje dhe gjykata nuk e vendosi. Për fatin e babait do të vendosë Gjykata e Apelit tashmë.
Këto janë lajmet e mediave nga Gjykata e Durrësit.
Kjo histori është një lemeri. Do të ishte lemeri nëse do të ishte e vërtetë. Por është lemeri edhe më e madhe, kur nuk është e vërtetë. Kjo është një dëshmi e një degradimi deri në qelizë të shumë dimensioneve të shoqërisë dhe familjes.
Një baba që zbulon një komunikim “të papërshtatshëm” në telefonin e vajzës adoleshnte dhe si zgjidhje gjen tia marrë telefonin.
Një vajzë 15 vjeçe me “ftohtësi” denoncon të atin për përdhunim, sepse i ka marrë telefonin.
Për shkak të ligjit që i jep mbrojtje të menjëhershme vajzave dhe grave pas denoncimit, burri arrestohet menjëherë. Pa u bërë asnjë verifikim. Kjo bëhet për të shmangur hakmarjen e burrave.
Menjëherë ngjarja përfundon në media, pa u verifikuar ende pretendimet.
Menjëherë lajmi merr dhenë dhe të gjithë flasin dhe akuzojnë një “përbindësh, baba përdhunues”. (Nëse do të ishte e vërtetë s’kam asnjë dyshim që kështu është).
Të gjithë analizojnë se “ky njeriu duket që në surrat se çfarë monstre është”.
Por, pastaj del që vajza ka gënjyer, ka ngritur një skenar për tu hakmarrë ndaj babait.
Kush e mban përgjegjësinë për shkatërrimin e një njeriu?
Krimet dhe dhuna në familje janë çështje shumë të ndjeshme në këtë vend. Por shpesh ka rezultuar se ndjeshmëria e ligjit ëshë shpërdoruar edhe nga bashkëshortet ndaj burrave. A nuk ndodhi kështu edhe me babanë që vranë fëmijët në Durrës? A nuk u tha menjëherë se vajza e vrau se nuk e linte të studionte dhe se donte ta fejonte me dhunë? A nuk ishin të shumtë ata që thanë “I lumtë dora vajzës së gjorë”? A nuk doli se babanë e kishin vrarë fëmijët se nuk pranonte të shiste tokën?
A nuk mund të pritet nga policia dhe prokuroria, derisa të verifikohen pretendimet e denoncuesve para se lajmi ti jepet urisë publike për konsum, e duke publikuar emrin dhe fotografinë e njerëzve të denoncuar?
A nuk duhet të tregohet media më e matur dhe me e duruar, para se të numërojë “ like”-t dhe “share”-t e postimeve?
Ndaj unë sot po e publikoj këtë foto, tashmë për të thënë se “ky nuk është përdhunues i vajzës së tij”. Dhe sot, ashtu siç tregojmë ndjeshmërinë tonë kundër dhunuesve dhe përdhunuevse të vërtetë, duhet të tregojmë edhe për “dhunën publike” ndaj një njeriut, i cili, tani për tani, rezulton se ka rënë viktimë e një çmendurie të vajzës së tij adoleshnte.
Të presim nëse do të ketë të reja hetimi i prokurorisë!