KZLN: Procesi, me gabime proceduriale

Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme ka prezantuar paraditen e së hënës raportin paraprak mbi ecurinë e procesit zgjedhor të 21 qershorit.

“Bazuar tek informacioni i marrë nga vëzhguesit e pavarur të KZLN, nuk ka patur gabime të rëndësishme proceduriale, ose shkelje gjatë procesit në ditën e zgjedhjeve nga hapja e qendrave të zgjedhësve, procedurat e votimit dhe mbylljes së qendrave të votimit”, deklaroi Mirela Arqimandriti, drejtuese koalicionit. 

Por grupimi në fjalë ka shprehur shqetësimin në lidhje me  faktin se gjatë procedurave të hapjes, në 17% të rasteve komisionerët e qendrave të votimit nuk shpërndanë kopjen e procesverbalit të vulave të sigurisë tek vëzhguesit e partive politike. 

Sipas raportit, 10 për qind e qendrave të votimit nuk u hapën me numrin e duhur të komisionerëve. 

“Në 37% të qendrave të votimit nuk kishte gra komisionere dhe vetëm në 15% të qendrave të votimit gratë kishin detyrën e kryetares së komisionit të qendrës së votimit. Në 57% të qendrave të votimit votuesit me aftësi të kufizuar nuk mundën të hidhnin votën e tyre në mënyrë të fshehtë, pasi këto qendra ishin të papërshtatura për ta“, deklaroi Erjona Mulellari, koordinatore e përgjithshme e vëzhguesve. 

Ndërsa Dhimitër Gjodede, analist pranë Koalicionit, vuri në dukje se, “në 90% të qendrave të votimit, partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kishin vëzhguesit e tyre. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim kishte vezhgues në 80% të qendrave të votimit”. 

“Është shumë shqetësuese që në 25% të qendrave të votimit pati votues që nuk gjetën emrin në listë”, tha Gjodede.

SHKARKO APP