Laboratorët smart, Peleshi: Digjitalizimi është një vizion i qartë qeverisë
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi gjatë fjalës në seancën e sotme në Kuvend, tha se qeveria shqiptare ka një vizion të qartë sa i takon digjitalizimit të vendit. Gjatë diskutimeve për ratifikimin e marrëveshjes së huas me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës për financimin e projektit ““Laboratorët inteligjentë” (Smart Labs)-Digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar”, ku mundësohet financimi i 654 laboratorëve inteligjentë në shkolla nga veriu në jug, Peleshi tha se Shqipëria po rreshtohet si një nga vendet me shpejtësinë më të lartë të digjitalizimit.
“Kjo marrëveshje është pjesë e një vizioni që na ndan nga e shkuara dhe qeverisjet e së shkuarës. Bëhet fjalë për modernizimin e Shqipërisë dhe ekonomisë shqiptare, të kulturës dhe edukimit përmes digjitalizimit. Po jetojmë në një epokë transformimi të shpejtë digjital dhe jo të gjitha vendet në këtë epokë lëvizin me të njëjtën shpejtësi”, tha Peleshi.
Sipas tij, ka vende shumë të zhvilluara ta cilat nuk e kanë prioritet digjitalizimin dhe shpejtësia me të cilën ndjekin këtë udhë nuk është e lartë, teksa ka vende si Shqipëria e cila e ka vendosur digjitalizimin si prioritet.
“Shqipëria po rreshtohet si një nga vendet me shpejtësinë më të lartë në digjitalizim. Shqipëria është një nga vendet e pakta që ka arritur mbi 95% të shërbimeve publike online me e-Albania. Është nga vendet e pakta, që do të lançojë së shpejti asistent virtual me IA për të ndihmuar shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, për të aksesuar në shërbime publike pa nevojën e pranisë fizike, duke i marrë ato online”, tha Peleshi.