Lagjja e Re në Prezë transformohet, mbi 300 banorë përfitojnë nga investimi
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, së bashku me kryetarin e Bashkisë Vorë, Blerim Shera, inspektuan përfundimin e punimeve në rrugën e Lagjes së Re, në Prezë, një investim që synon të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën dhe cilësinë e jetës për banorët e zonës.
Projekti, i financuar nga Bashkia Vorë, ka përfshirë rikonstruksionin e plotë të segmentit rrugor, ndërtimin e trotuareve, instalimin e ndriçimit publik si dhe sistemimin e rrjetit të kanalizimeve. Këto ndërhyrje krijojnë kushte më të mira për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve, duke rritur sigurinë dhe funksionalitetin e kësaj lagjeje që është zhvilluar kryesisht pas viteve ’90.
Sipas autoriteteve vendore, investimi prek drejtpërdrejt rreth 300 banorë, të cilët tashmë do të kenë një infrastrukturë moderne dhe më të përshtatshme për nevojat e përditshme. Përmirësimi i rrugës pritet të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin e mëtejshëm të zonës.
Gjatë vizitës në terren, Taulant Balla vlerësoi cilësinë e punimeve, duke theksuar se investimet publike duhet të realizohen sipas standardeve më të larta, pasi janë projekte që i shërbejnë komunitetit për një periudhë të gjatë. Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të infrastrukturës cilësore, e cila jo vetëm lehtëson lëvizjen, por rrit edhe vlerën e zonave ku ndërhyhet.
Balla u ndal edhe te çështja e sigurisë rrugore, duke theksuar se rrugët e reja dhe me standarde të mira mund të nxisin rritjen e shpejtësisë së automjeteve. Për këtë arsye, ai e cilësoi të arsyeshme kërkesën e banorëve për vendosjen e pengesave ngadalësuese, në mënyrë që të garantohet një qarkullim më i sigurt, veçanërisht në zonat e banuara.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë Vorë, Blerim Shera, bëri të ditur se investimet në infrastrukturë do të vijojnë edhe në pjesë të tjera të bashkisë. Sipas tij, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit pritet të nisin projekte të reja që synojnë përmirësimin e mëtejshëm të rrugëve, shërbimeve publike dhe kushteve të jetesës për qytetarët.

KOHA JONË SONDAZH

