Lamallari: Strehim social për familjet e policëve të rënë në detyrë dhe viktimat e dhunës në familje
Enti Kombëtar i Banesave ka hapur thirrjen për aplikime në kuadër të programeve sociale të strehimit, duke publikuar kriteret dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë qytetarët që synojnë të përfitojnë nga këto programe.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka bërë të ditur se ndër kategoritë që trajtohen me përparësi janë familjet e punonjësve të rënë në krye ose për shkak të detyrës, si dhe viktimat e dhunës në familje.
Sipas përcaktimeve ligjore, në kategorinë e familjeve të punonjësve të rënë në detyrë përfshihen familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, strukturave të Ministrisë së Brendshme, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Policisë së Burgjeve.
Ndërkohë, për viktimat e dhunës në familje, një nga dokumentet e kërkuara është urdhri i mbrojtjes ose urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i lëshuar nga gjykata.
Autoritetet kanë publikuar gjithashtu informacionin mbi dokumentacionin dhe kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët për të përfituar nga programet sociale të strehimit.
Aplikimi kryhet online përmes platformës e-Albania, në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Programet e strehimit social synojnë të mbështesin familjet dhe individët që plotësojnë kriteret ligjore, duke u dhënë përparësi kategorive të përcaktuara me ligj.




KOHA JONË SONDAZH

