Lapaj tregon se cili do të jetë hapi i radhës që do të ndërmarrë lëvizja ”Shqipëria Bëhet”
Kreu i lëvizjes ”Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj thotë se vendi në 3 dekada ka dëshmuar se në këtë rrugë ka ecur gabim. Për të rruga e vetme për të ndryshuar historinë në këtë vend kalon nëpërmjet ideve dhe nëpërmjet garës. Nga ana tjetër, Lapaj zbuloi më tej se cili do të jetë hapi i radhës që do të ndërmarrë lëvizja.
”Në këtë vend po kërkohet të mbahet me procedurë një sistem i cili nuk i shërben demokratizimit dhe ndryshimit të këtij vendi sepse nuk po shkohet te thelbi. 1. Hapja e garës, ky është një kostum i qepur për Edi Ramën. Hapja e listave që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin më të mirët. Një pjesë e asaj lufte sot bëhet kush do të jetë nesër deputet. 2. Ligji për referendumet. Në ditët në vazhdim ne do të hedhim hapa të rëndësishëm.
Ne po shkruajmë, do të çojmë propozime konkrete në parlament për ndryshimin e kodit zgjedhor, votës së emigrantëve dhe hapjes së listave. Nëse këta nuk e marrin në konsideratë, do të mbledhim 20 mijë firma për këto propozime dhe do t’i çojmë si iniciativa te qytetarët. Këto janë hapësirat që kemi në dorë nga ligji. Nëse këta nuk reflektojnë, ne do të vazhdojmë të punojmë me qytetarët për t’i bindur se ndryshimi do të vijë nëpërmjet bashkimit të një elite të re”, tha Lapaj në A2 CNN.