Lapardhaja: Hapja e kutive zbuloi se demokratët vodhën njëri-tjetrin! PD pa busull, amorale dhe e pashpresë

Politologu Namir Lapardhaja, thotë se selia blu i ngjan një të sëmuri që nuk dëshiron të shërohet dhe ka një lidership që për të nuk sjell shpresë për fitore. Ata ai i quan me busull të humbur dhe kaotik. Për sa kohë lidershipi i saj nuk largohet për t’i hapur rugën të tjerëve, humbjet e tjera do jenë edhe më të rënda, pasi me Berishën, Flamur Nokën dhe Albana Vokshin, PD nuk kthehet kurrë në mazhorancë.
Lapardhaja thekson edhe se kauza e Berishës për farsë elektorale dhe vjedhje zgjedhjesh ka rënë, pasi rinumërimi i kutive deri tani ka treguar se demokratët kanë vjedhur njëri-tjetrin e jo vetëm kaq, por ky rinumërim nuk solli as ndryshim të rezultatit mes partive apo brenda kandidatëve.
”Fatkeqësisht ishte paralajmërim i hershëm që hapja e kutive do ekspozonte kandidatët në përplasje me njëri-tjetrin dhe do rrëzonte kauzën e PD-së për vjedhjen e zgjedhjeve. PD ndodhet në krizë të thellë të lidershipit të saj, që nuk po lejon pjesën tjetër të demokratëve ta lexojë drejt situatën, por po përpiqet dhe mundohet me të gjitha mënyrat për ta mbajtur diskursin politik pikërisht në një çështje që tashmë është e mbyllur.
Rezultati i zgjedhjeve në të gjitha format dhe mënyrat është i pandryshueshëm. Jo se nuk patën probleme, sepse e kemi thënë edhe herë të tjera, por fatkeqësisht në Shqipëri zgjedhjet gjithmonë kanë pasur probleme, por në këto të 11 majit, mesazhi i qytetarëve shqiptarë ka qenë i qartë në refuzimin e lidershipit të PD-së, me në krye të saj Sali Berishën. Për sa kohë nuk do lexohet si e tillë çështja, problematikat e tjera nuk e zhbëjnë thelbin”, tha Lapardhaja në ”Report TV”.
Për politologun, selia blu ndodhet në paradoks,pasi rinumërimi në disa zona dhe ato që priten, tregojnë se në PD kanë vjedhur njëri-tjetrin,duke treguar edhe amoralitetin në atë formacion politik.