LDE kërkon zgjedhje të parakohshme

Kryetari i partisë më të re në Shqipëri, Lëvizja për Demokraci dhe Etikë, Ardian Galdini, gjatë një takimi që zhvilloi me forumin rinor të kësaj force politike u shpreh se Reformën në Drejtësi nuk mund ta bëjë parlamenti, I cili është në poroces e dekriminalizimi.

Sipas tij Kushtetuta nuk është shaka dhe këtë politikanët shqiptarë duhet ta dinë mirë. Ai tha se ndryshimet në Kushtetutë mund të vijnë vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme.

“Nuk mundet që Reformën në Drejtësi ta bëjë Parlamenti që është subjekt i një procesi të dekriminalizimit. Nuk mundet që të preken 70 nene të Kushtetutës dhe kjo të shitet si Reformë në Drejtësi. Kur preken 70 nene të Kushtetutës, kemi rithemelim të Shtetit. Krerët e Shtetit dhe Politikës shqiptare, duhet të kenë vetëdijësimin se Kushtetuta nuk është shaka, ndaj edhe duhet të ulen e dialogojnë me njëri tjetrin për parimet bazë që do të ketë Shteti i ri, Republika e re që po themelohet. Duhet të ketë përputhje e harmoni mes Frymës dhe Gërmës së Kushtetutës, Ligjeve dhe Institucioneve. Gjithësesi vetëm zgjedhjet e parakohshme mund ta krijojnë kushtet për një Kuvend përfaqësues, të denjë dhe të pastër. Nuk ka zgjidhje më të mirë sesa dalja para popullit për të ribërë kontratën e përfaqësimit dhe qeverisjes. Zgjedhjet e parakohshme janë Referendumi i vërtetë kundër krimit dhe korrupsionit në politike dhe drejtësi”, u shpreh Galdini.

Ndër të tjera ai kërkoi që ndërsa flitet për ndryshime Kushtetuese është domosdoshmëri që në Shqipëri të kemi edhe Dhomën e Lartë të përfaqësuesve ose ndryshe Senatin.

SHKARKO APP