Ledi Shamku dhe një proverb “tirons” për Bashën

 

Deputetja e Partisë Socialiste ka sulmuar bashkinë e Tiranës dhe kryetarin e saj Lulzim Basha, i cili sipas saj u kujtua vetëm për fushatë dhe në fund të mandatit të tij për të bërë ndonjë punë në kryeqytet.

“Sa m'është dhimbs punëtori që kish nxjerrë mbrëmë natën Bashkia për të hequr vijat e bardha nëpër do rrugë të qendrës! M'është dhimbs se çdo pak metra i binte vija në gropë dhe nuk dinte si ta shmangte! Pa ç'pa, e la fare punën, i dha gaz mjetit të vogël vijëzues dhe iku fare”, – shkruante Shamku në profilin e saj në Facebook.

Ajo vijonte më tej duke shkruar se “Të kujtohesh për vijat e bardha pasi ke katër vjet që s'ja ke parë "fytyrën" qytetit dhe t'i heqësh këto vija mbi zdromat e rrugëve – kjo edhe mua më kujton një proverb tirons që për arsye etike nuk po e citoj (por tironcit e dinë se kujt i vihen përsipër lule, sipas proverbit)”.

SHKARKO APP