Legalizimi i kanabisit, Mesila Doda: Do të punoj kundër kësaj iniciative

Deputetja e PD-së, Mesila Doda ka reaguar sot në lidhje me debatin e liberalizimit të kanabisit, duke thënë se për liberalizimin e kanabisit po lobon Koço Kokëdhima.

Sipas Dodës, liberalizimi do ishte i padobishëm dhe qesharak dhe ka si qëllim të pasurojë një grup njerëzish. Deputetja shton se do punojë kundër kësaj kauze.

“Më është dukur i padobishëm deri në qesharak, lobimi i nisur nga deputeti Kokëdhima për legalizimin e kanabisit. Meqë shoh se si shtohen zëra të majtësh për një kauzë që ka në thelbin e vetë pasurimin e një grushti njerëzish pa marrë parasysh asnjë pasojë shkatërrimtarë që rrjedh prej kësaj, dua të bëj të qartë qëndrimin tim lidhur me këtë çështje. Legalizimi i Kanabisit, nuk ka asnjë qëllim mjekësor e as sens progresiv. Përdorimi i këtyre substancave është vërtetuar se është shkatërrimtar për njeriun, veçanërisht për rininë, e cila konsumon bashkë me hashashin etapën e parë të futjes në tunelin e drogës dhe varësisë shkatërrimtare prej saj. Në vendet ku është legalizuar kjo substancë ka pasur rritje të përdoruesve e bashkë me të edhe të dipendencës nga drogat e tjera. Pikërisht për këtë arsye dhe sepse besoj fort në vlerat e jetës, shprehem qartazi se do të punoj kundër kësaj iniciative që sjell bjerrje të vlerave tek të cilat besojmë dhe dëmton rëndë jetën dhe ndërgjegjen njerëzore. Jeta jonë dhe e fëmijëve tanë vlen më shumë se milionat dhe miliardat që përpiqen të përfitojnë një grusht njerëzish”, komenton deputetja në faqen e saj në Facebook.

SHKARKO APP