Lehtësim për emigrantët nga Shqipëria, Greqia shtyn lejet e qëndrimit

Ministria greke e Emigracionit njoftoi shtyrjen deri në fund të këtij viti të lejeve të qëndrimit dhe vërtetimeve që janë lëshuar për disa kategori të huajsh pjesën dërrmuese të të cilëve e përbëjnë shqiptarët.

Sipas njoftimit të Ministrisë greke të emigracionit shtyhen lejet që janë lëshuar nga data 1 Janar 2020 deri më 31 korrik 2020, vlefshmëria e të cilave ishte shtyrë më parë deri më 31 Mars 2021.

Një kategori tjetër e lejeve që shtyhen, sipas Ministrisë së Emigracionit, janë ato që janë lëshuar nga data 1 Gusht 2020 dhe skadojnë deri më 31 Mars 2021 dhe vlefshmëria e tyre ishte shtyrë më parë me 8 muaj nga data e skadimit.

Në kategorinë e tretë të lejeve të qëndrimit që shtyhen përfshihen lejet e qëndrimit që skadojnë nga data 1 Prill 2021 deri 31 Dhjetor 2021.

Ministria greke e Emigracionit e lidhi shtyrjen e afateve me problematikat e krjuara për institucionet greke që trajtojnë kërkesat e të huajve për lejeqëndrimi nga situata e pandemisë. Herë pas here zyrat e emigracionit janë mbyllur nga infektimi i punonjësve të tyre.

Ministria greke e Emigracionit njoftoi gjithashtu se do t`u japë përparësi shërbimeve dixhitale duke shmangur kontaktet fizike pranë zyrave të emigracionit, përvec rasteve të emergjencës. Shtyrja e lejeve lehtëson jo vetëm statusin e qëndrimit për disa mijëra emigrantë shqiptarë që rrezikonin skadimin e dokumenteve, por edhe lëvizjen e tyre në kufirin mes të dy vendeve.

Greqia lejon daljen nga vendi të emigrantëve shqiptarë me lejeqëndrimi përmes Pikës së Kapshticës dhe Kakavijës por ndërkohë lëvizja nga Shqiëpria drejt Greqisë lejohet vetëm përmes pikës së Kakavijës.

Autoritetet greke lejojnë të kalojnë në këtë pikë kufitare 400 persona në ditë të cilët plotësojnë një formular udhëtimi dhe duhet të jenë të pajisur me testin me rezultatin negative për “COVID 19” të kryer brenda 72 orëve para mbërritjes në kufi.

Personat që hyjnë në Greqi duhet të karantinohen një javë në banesat e tyre, ndërsa nëse gjenden pozitiv në testet e shpejta që kryhen për Covid 19 në anën greke nuk lejohet të udhëtojnë për në Greqi./VOA

SHKARKO APP