Lehtësira për klientët e Fondit BESA

Marreveshje bashkepunimi midis Fondit BESA dhe Postes Shqiptare

Posta Shqiptare dhe Fondi BESA nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, për pagesën e kësteve të kredisë në postë për klientët e Fondit, kundrejt një komisioni më të lirë në krahasim me bankat. Gjatë aktivitetit të organizuar me rastin e firmosjes së marrëveshjes, Drejtori i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi u shpreh i bindur se kjo marrëveshje do të jetë një histori suksesi.

“Aseti më i madh i Postës Shqiptare është shtrirja më e madhe në të gjithë Shqipërinë. Kemi integruar sistemet tona elektronike dhe informatike në mënyrë që çdo klient i Fondit BESA të bëjë pagesën e kredisë në postë, kundrejt një komisioni shumë më të lirë se sa ai që ofrojnë bankat. Ambicia jonë kryesore është krijimi i një Poste Bankë. Besojmë që kjo marrëveshje do të jetë një histori suksesi, konfirmimi i një vullneti për tu qasur të gjitha institucioneve, kompanive publike apo private që e shikojnë Postën Shqiptare si partner të shërbimeve financiare dhe bankare” – deklaroi Lazimi.

Nga ana e tij, Drejtori Ekzekutiv i Fondit BESA, z. Bajram Muça, theksoi se nga ky bashkëpunim përfitojnë rreth 30 mijë klientët e Fondit BESA, të cilëve do t’u ofrohet shërbimi atje ku banojnë.

 

“Ky bashkëpunim nuk do të rrisë vetëm cilësinë e shërbimit, por edhe cilësinë dhe shtrirjen e shërbimit në të gjitha zonat që ne mbulojmë. Sot klientët e Fondit BESA, rreth 30 mijë klientë, kanë një alternative të re. E inkurajoj këtë marrëveshje dhe mendoj se ky bashkëpunim do të vijë gjithmonë në një bashkëpunim të frytshëm për postën, Fonditn BESA dhe klientin, i cili përfiton më shumë, pasi i ofrohet shërbimi atje ku banon” – deklaroi Muça.

SHKARKO APP