Lemeria: Të gërvishtësh emrin në afresket e Voskopojës!

“Vizitorët kishin gërvishtur pa pikë mëshire veprat e rralla. Aty gjeje emra të ndryshëm të cilët, ndoshta, me dëshirën për të qenë më afër Zotit, kishin shkruar emrat e tyre dhe të vendeve nga vinin në këto piktura të rralla”…

Nga Entela Resuli

Nëse  shkon në Voskopojë, në qendër të këtij fshati turistik është e vendosur një tabelë e cila të tregon se çfarë mund të vizitosh në këtë vend malor.

Vizitori i sotëm, që shkel në truallin e qytetit të dikurshëm, nuk sheh veçse një fshat të vogël, por edhe bazilika të shumta, pikturuar me aq shumë mjeshtëri. Atëherë bëhet ndoshta i vetëdijshëm se ecën mbi historinë e kulturës e të artit të zhvilluar, në këtë qendër historike të mesjetës së vonë. Dhe jo vetëm turistët e huaj, por edhe ato vendas, që nuk kanë pasur mundësinë të njihen me këtë ansambël monumentesh nga më të shquarit në Ballkan. Voskopoja turistike, bën pjesë në thesarin kulturor botëror, prandaj është shpallur nga UNESCO, si një prej 100 qendrave monumentale më të rrezikuara. Përveç bazilikave, në Voskopojë, ekziston edhe manastiri i Shën Prodhromit. Ky manastir i shek. XVII është shumë i përmendur për mikpritjen që u ka rezervuar të gjithëve pa dallim feje.

Një kishë dhe një skandal

Kishat janë ato që presin vizitorë edhe pse në pjesën më të madhe të tyre e gjejmë derën e mbyllur. Kisha e parë ku na çojnë këmbët është ajo e Shën Nikollës e cila ndodhet në qendër të fshatit. Në oborrin e saj, nëpërmjet një tabele shpjegohet se kjo kishë është ndërtuar në vitet 1721-1722. Ka formë klasike të mesjetës së vonë. Është ndërtuar me gurë, ka qemerë. Ka elemente me lidhje zinxhirë druri, kurse çatia
është e mbuluar me rasa guri.

Në kishë ruhen afreske të vjetra që prezantojnë rreth 100 figura biblike. Brendësia e kishës është pikturuar nga një prej artistëve më të njohur shqiptarë të kohës, David Selenica. Me interes është edhe mbishkrimi i lënë prej tij, në të cilën jepen të dhëna për pikturën murale të saj ndërsa hajati i kishës i përbërë nga harqe, është pikturuar nga dy piktorë të tjerë të shquar, me origjinë nga Korça, vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi në vitin 1750.
Kambanorja e saj ka mundur t’u rezistojë rrebesheve të kohës, por herë pas here në të janë bërë edhe ndërhyrje restauruese. Është shpallur monument kulture në vitin 1948. Duke qenë e kompletuar nga ana arkitektonike dhe nga piktura murale, ajo sot është një nga kishat më të vizitueshme të Qendrës Historike Voskopojë.

Ajo që na ra menjëherë në sy në hyrje të kishës ishte dëmtimi që u ishte bërë afreskeve. Vizitorët kishin gërvishtur pa pikë mëshire veprat e rralla. Aty gjeje emra të ndryshëm të cilët, ndoshta, me dëshirën për të qenë më afër Zotit, kishin shkruar emrat e tyre dhe të vendeve nga vinin në këto piktura të rralla.

A mendojnë  vërtet që ky veprimi  i ka bërë të duken më të mirë pranë Zotit?!  Edhe pse në hyrje të kishës thuhet që kjo ndërtesë është monument kulture dhe ruhet nga shteti, asgjë nuk i kishte zmbrapsur vizitorët që me forma nga më të ndryshmet kishin mundur të linin emrin e tyre mbi ato afreske. “Dita” sjell nëpërmjet fotografive këtë “masakër”./ DITA

SHKARKO APP