“Lëre, na la pa fjalë”! Gjergj Leka i prekur nga vdekja e Pagarushës, rrëfen lidhjen e saj të ngushtë me Vaçe Zelën: I humbëm të dy ikonat!
Kompozitori Gjergj Leka është prekur thellë nga ndarja nga jeta e “bilbilit” të muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Në një lidhje telefonike për “News24”, Leka e krahasoi Pagarushën me Vaçe Zelën, duke thënë se i ka krijuar të njëjtën ndjesi, si kur u nda nga jeta Vaçja.
Sipas tij, ky lajm e ka lënë pa fjalë, pasi Nexhmije Pagarusha na mësoi motivin e muzikës shqiptare dhe si të këndojmë shqip, gjë e cila, sipas tij, i mungon sot muzikës shqiptare.
“Lëre, na la pa fjalë. Janë ato lajme që nuk e di, nuk kam fjalë. Të njëjtën ndjesi kemi pasur të gjithë artistët, kur u nda nga jeta Vaçe Zela e madhja, këto ishin dy ikonat që na kishin mbetur. Është humbje shumë e madje, edhe pse e dinim me kohë, që vuante nga një sëmundje jo e mirë. Lajm i papritur. U takova me të, takuam shumë momente. Ajo që të bënte përshtypje, ishte siç thotë që njerëzit e mëdhenj janë të thjesht. Edhe kur i kërkoje një këshillë, sa ëmbël këshillonte. Nuk do ta harroj kurrë.
Nexhmije Pagarusha është artisja më shqiptare e artistëve. Në të gjithë këngët që na la, mbizotëron motivi shqiptar. Problemet sot që kemi me muzikën sot është pikërisht ky, mospasja e motivit shqiptar. Pagarusha na mësoi të gjithëve si duhet bërë muzikë dhe si duhet kënduar shqip.
Ishin dhe do mbeten ikonat e këngës shqiptare Pagarusha dhe Zela. Rrinin gjithë kohës bashkë, i shikoje gjithmonë me atë buzëqeshje dhe me një respekt të habitshëm për njëra-tjetrën. Ishin në radhë të parë njerëz me një zemër të madhe. Do mundohem që nesër në programin “Na ishte një herë muzika” të bëj një portret për Nexhmije Pagarushën”, tha Gjergj Leka.