LETËR E HAPUR/ Babaramo-Nishani: Z. President ndiq instiktin prindëror, prano referendumin e mbetjeve

Nga Ilir Babaramo

Letër Presidentit te Republikës

I nderuar zoti President,

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndonëse me vonesë doja tu falënderoja për lëvizjen politike që ju bëtë në fillim të muajit maj kur për të përkujtuar ditën botërore të fitores mbi fashizmin thirrët në një takim në Presidencë përfaqësues të komunitetit çam dhe familjarë të dëshmorëve të këtij komuniteti. Është lëvizja më racionale dhe patriotike që është bërë gjatë 25 viteve të fundit në atë zyrë. Ishte një lëvizje e denjë për një kryetar shteti. Që nuk ishte bërë më parë dhe duhet të kishte ndodhur dekada më parë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Me këtë xhest të madh ju demontuat mitin me të cilin është mbajtur e kyçur një tragjedi dhe padrejtësi e madhe historike. Kancelaria e fqinjit tonë jugor dhe për shkak të miopisë së drejtuesve të shtetit shqiptar kishte arritur të bindte opinionin evropian se çështja çame nuk ekziston. Se çamët janë një popullsi që ka bashkëpunuar me fashizmin dhe fati I tyre ashtu si ai I gjermanëve të Sudeteve dhe disa popullsive të tjera minoritare në Evropë është mbyllur njëherë e mirë nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore me konferencën e Potsdamit në verën e vitit 1945. Duke ftuar publikisht në zyrën më të lartë të shtetit shqiptar familjarët e çamëve që luftuan fashizmin krahas aleatëve ju dëshmuat urbi et orbi se refuzimi për të zgjidhur sipas standardeve evropiane një çështje të hapur prej gati një shekull bazohet mbi një të pavërtetë të madhe historike.

Zoti President,

Shkaku që ju drejtohem publikisht është një ligj që duhet të ketë mbërritur në tryezën tuaj. Si një qytetar I këtij vendi do të doja tu kujtoja modestisht se vendimi që do merrni përbën pa dyshim vendimin më të rëndësishëm të karrierës suaj relativisht të gjatë politike. Në këndvështrimin tim dhe më I lehti për tu marrë. Sepse është një ligj kriminal, i sponsorizuar nga mafia, që ka ardhur në tryezën tuaj si produkt komplisiteti i të dyja krahëve të politikës. Pavarësisht se është neveritës, fakti se palët kanë ndryshuar kah dhe I kanë vjedhur copy paste argumentet që kundërshtari përdorte tre dhe pesë vjet më parë situata është tejet e rrezikshme dhe bash për këtë arsye. Opinioni publik është I mpirë , I pashpresë .

Kjo gjendje fataliteti është rasti më I mirë për të marrë vendimet më të pacipa sic është ky ligj. Është neveritëse kur shikon se ata që dikur përdornin termin plehra sot thonë mbetje urbane , ashtu siç është tragjikomike kur dëgjon se ata që dikur përdornin termin mbetje sot flasin për plehra. Por kjo nuk është një dilemë semantike është një çështje ekzistenciale. Kushdo që nuk ka marrë hisen nga paratë që janë shpërndarë me kazanë për të lobuar këtë krim e ka të qartë se ky ligj do të varrosë përfundimisht shpresën se ky vend dikur do bëhet. Madje më keq. Se në këtë vend mund të jetohet.

Ky ligj nuk zgjidh makthin e plehrave që kanë mbuluar Shqipërinë. Përkundrazi. Duke lejuar importin e plehrave, (për të qenë politikisht korrekt le ti quajmë dhe “mbetje që kuotohen në bursë” ) me këtë ligj stoku I mbi 80 për qind të mbetjeve tona urbane do vijë duke u shtuar. Duke lejuar importin e mbetjeve të Evropës , qoftë dhe për riciklim, Shqipëria bëhet destinacioni I gjithë mbetjeve të Evropës. Është e kotë të rendisësh argumente kundër atyre që vendosën të kalojnë këtë ligj. Do ishte njësoj sikur të bindje Provencanot se mafia është zgjidhja e gabuar. Megjithatë një gjë më bën përshtypje. Dhe mafiozët më të pashpirt përpiqen ti bëjnë operacione të tilla sa më larg të jetë e mundur habitatit të tyre. Pikërisht për këtë arsye zgjedhin vendet afrikane.

Zoti President,

Asnjëherë nuk kam dashur të përfshihem në debate se sa partiak keni qenë ju në zyrën e kryetarit të shtetit. Bashkëjetesa e detyruar politike mes presidentit nga njëri krah dhe kryeministrit nga krahu tjetër përbën një garanci kundër arbitraritetit të qeverisë jo vetëm për vende si Shqipëria por dhe si Franca ku skrupujt e shtetarit janë ku e ku më e lart. Ju , ashtu si gjithë drejtuesit e lartë të shtetit , si gjithë politikanët dhe ne gazetarët keni shpenzuar dy vitet e fundit kohë pa fund për reformën në drejtësi. Lufta ka qenë se kush do ta kontrollojë sistemin e drejtësisë , I cili është alternuar sa nga vëllezërit e “pishtarëve të demokracisë” tek djemtë e “heronjve të popullit” . Në fakt nuk ka patur asnjë përkatësi ideologjike . Lufta ka qenë për të marrë licencën politike dhe për ta përdorur këtë të fundit si mjet për të bërë plaçkë.

Ligji që po shqyrtoni nuk i përket kësaj kategorie. Nuk ka nuanca partiake. Pikërisht për këtë nuk duhet të hezitoni. Mos u konsultoni me asnjë politikan. Për të marrë vendimin, për herë të parë konsultohuni me familjen tuaj. Besojini instiktit më të pagabueshëm njerëzor: amësisë. Pyesni dhe dy fëmijët tuaj, të cilët kanë mbushur moshën për të votuar për herë të parë. Krijojuni mundësinë që vota e parë e tyre të jetë në referendumin të cilin politika përpiqet ta bllokojë. Kam bindjen se ata do votojnë Jo. Do votojnë në këtë mënyrë sepse gjatë katër viteve që ju jeni në zyrën e kryetarit të shtetit, pavarësisht ju kanë sulmuar për gjithçka, askush nuk ka thënë qoftë dhe një insinuatë për familjarët tuaj.

Këto 25 vjet kemi dëgjuar për fëmijë, vëllezër , kunetër apo dhëndurë, (ky I fundit krijoi precedentin e shitblerjes së emërimeve në drejtësi) që kanë qenë pas shumë vendimeve të pista në këtë vend. Për familjen tuaj asgjë. Prandaj duhet të konsultoheni me ata. Sepse ky nuk është një vendim politik. Më lejoni ta përsëris. Është ekzistencial sepse nuk është në lojë partia apo ideologjia, por Jeta.

Miku im Bujar,

Me lejo të të rrëfej se pak ditë më parë ishte çasti im më i vështirë si prind. Im bir, i cili ka moshën e dy fëmijëve të tu më tha se pas përfundimit të studimeve nuk do të kthehet në Shqipëri. Shtanga. Për herë të parë, si prind dhe gazetar, e ndjeva në lëkurë fatalitetin e shprehjes që përdoret rëndom: Ky vend nuk bëhet.

Zoti President,

Kam shpresë se ju do ta ktheni pas këtë ligj. Për një arsye të thjeshtë . Kur fëmijët tanë të tregojnë pasaportën në aeroportet e Evropës të mos shikohen si shtetas të një vendi që Evropa e përdor si “vc” e saj. Ndjesë për tonin dhe faleminderit për kohën.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?