“Letrat nga ferri” shkruar nga Edi Rama dhe Spartak Ngjela, botuar në KJ
Letër personale nga ferri
Drejtuar shokëve: Sali Ramë Berisha, Ramiz Taip Alia
(Për dijeni të sh. Eduart Selami)
Para së gjithash të më falni, se nuk mund t’ju drejtohem me fjalën Zot. Më duket sikur largohem ca si tepër, sepse ajo fjalë më çon në ato kohëra ku s’kam qenë kurrkush. Informacionin tuaj e kam marrë rregullisht. Por për ato që po ndodhin andej nga ju, ende s’jam i kënaqur. Kam nxjerrë ca shënime e në bazë të tyre po ju parashtroj idetë e mia për çështjet kardinale, ato të mëdhatë, sepse ato të tjerat, që janë më pak të rëndësishme, mund t’i zgjidhni me Eduart Selamin e doktorët: Spahinë, Serreqin dhe Rushenin. Gjeni dhe ndonjë gjinekolog për abortet politike. Para së gjithash, dua t’ju përgëzoj për hyrjen në Konferencën Islamike. Dhe ja ku po ju jap sihariqin se ajo ka qenë ëndrra ime, por nuk duhet të bini në euforinë e çastit, se ky është vetëm fillimi. Reaksioni perëndimor në Shqipëri, duhet ta kuptoni, që është shumë më i fuqishëm. Megjithatë, keni për të parë që ne do të fitojmë. Por për këtë duhet të jeni këmbëngulës e të pamëshirshëm. Ti Sali që je President, tani ke fuqi, por mos mendo se i ke marrë të gjitha. Jo, jo, Sali, ti ende nuk je futur në shtratin e sigurisë (këtë gjë ma shtiu në mend mbrëmë Roza Luksenbugu, të cilën ti e pëlqen aq shumë). Mos shiko kohën time, se unë kisha në dorë dy gjëra të mëdha që i vura në shërbim të çështjes sonë që ka nisur në Shqipëri që në vitin 1468. Kisha në dispozicion një ideologji, dhe frikën që u kisha ndërkallur pro perëndimorëve të mallkuar. Sali, ti sot je në pozita shumë më të pafavorshme. Të rinjtë po shohin nga Perëndimi, e po e dëgjojnë përherë e më pak zërin tënd fundamentalist. Kështu pra, të duhet të pjellësh një armë të fuqishme për të luftuar frymën perëndimore. Unë po mendoj shumë për këtë e së shpejti do të nis një projekt për reformimin e Institutit të Nexhmijes, të cilin duhet ta konsultosh me Bujar Hoxhën. Mirë e ke zbatuar porosinë time për gazetat e Radio Televizionin. RD dhe Televizionin e ke top. Buçpapajt janë të pashtershëm, njëlloj si gurra popullore. Tani duhet të shtiesh në dorë edhe gazetën “Bashkimi”. Është dobësia ime, Sali, prandaj edhe aty duhet të vesh në krye një nga kuadrot tanë më besnikë e më të devotshëm. Mendoj se më i përshtatshmi është Mehmeti (Elezi). Prandaj, ai urgjentisht duhet të bëhet kryeredaktor i Bashkimit. Ki besim te Mehmeti, se unë jo më kot, para se të ndahesha nga ajo tokë e trazuar, e vendosa në krye të rinisë, por ju koha e turbullirave ju gjeti me një Bashkurti, që siç më thoshte në një pusullë Haxhi Kroi, është bërë Ambasadori juaj në Hungari. Bashkimin, Sali, Bashkimin, se pas tij duhet t’i vijë radha gazetës “Koha Jonë”. Gazetë e poshtë besa.
Ramiz, ti nuk duhet të kursehesh për Salinë. Duhet ta bësh natën ditë, sepse Saliu ka ende nevojë për eksperiencën tënde. Mirë i bën fjalimet Saliu, por ti duhet t’ia mësosh edhe me atë stilin tonë, që të flasë me orë të tëra e të mos thotë asgjë. Pastaj edhe për çështjen e proceseve false duhet ta instruktosh më shumë Salinë. Ndërkohë duhet të vrasësh mendjen për të gjetur ndonjë njeri si Aranit Çela. Pa Aranitër asgjë s’do të arrini. Se ja, procesi i Prokurorit të Përgjithshëm vete në favor të armiqve. Nuk dua të dëgjoj më gjëra të tilla. Kurse gjyqin e Nexhmijes duhet ta përfundoni sa më parë. Ti e di mirë, se ju nuk do të mund t’i lanë hesapet me armiqtë tuaj të vërtetë, nëse populli i egërsuar nuk do të shohë më parë të dënohet Nexhmija. Unë asaj ia kam shpjeguar të gjitha në letrën që i shkrova para 10 ditësh. E di që ajo është optimiste, prandaj bëjeni gjyqin e saj sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe gjyqin e të tjerëve. Mjaft që akuzat të mos jenë politike, se gjithçka pastaj do shkojë si në gjalpë. Duhet ta kuptoni mirë se gjyqet e shokëve të Byrosë si ai i Nexhmijes s’kanë asnjë efekt për pushtetin tuaj, se ata nuk e trembin miletin. Trembja e njerëzve, e sidomos ajo e intelektualëve që ju kanë dalë kundër, vjen vetëm pasi të fillojë goditja e vërtetë. Sa e rrezikshme do të kishte qenë akuza politike për Byronë e Nexhmijen, ju nuk mund ta merrnin dot me mend. Por tani e shoh paq se e keni kaluar mjaft mirë këtë hendek të rrezikshëm psikologjik. Po e jetoj për së dyti kohën e luftës, atëherë kur Shtabi i Përgjithshëm, me korrier lidhesha me çetat, batalionet e brigadat. Ja pra edhe tani në një lloj shtabi jam. Sulltan Mehmeti II po më rri ftohtë. S’po i pëlqen fare ecuria e ngjarjeve në Ballkan, dhe Ballkanin e kam unë në patronazh, bile përgjigjem para djallit me kokë për të. Tito e kompani nuk pyeten këtu. Kurrë s’do t’i harroj fjalët e Sulltan Mehmetit. Ato qenë fjalët e njohjes sonë, “Enver, më tha, s’ke bërë asgjë. Unë shkova deri te portat e Vjenës, e ti mbete në një pullë vend. Azia duhet ta mundë Evropën”. Kaq më tha, por me këto më ka thënë gjithçka. Sulltani s’ka kohë të tepërt, pasi i merr shumë kohë korrespondenca me Sadam Hyseinin. Te Sadami i ka varur shpresat ai, në të gjithë e vetë djalli. Edhe ju duhet të mendoni për të filluar bisedimet e fshehta me Sadamin. Por duhet të gjeni një negociator të aftë. Baleta do të ishte më i përshtatshëm për këtë, por nuk duhet të harroni se ai dështoi në Nju Jork në vitet 70, për triumfin oriental e për zhdukjen e sionizmit. Sidomos rëndësi të veçantë duhet t’i kushtoni arsimit. Saliu ka bërë një zgjedhje të shkëlqyer. Ku e gjeti xhanëm? Sepse edhe unë një injorant kisha vendosur në atë vend, por ajo s’kishte titull shkencor. Ky i juaji është më perfekti. Një i paaftë, antiperëndimor, por me titull shkencor ama. Ja, këtu ma keni kaluar edhe mua. Por menjëherë duhet të nisë reforma e spastrimeve në universitete, sidomos te ai i Tiranës. Fakulteti i Filologjisë duhet të drejtohet mundësisht nga ndonjë rapsod, ndonjë poet i thënçin që të ketë shkruar ndonjë vjershë. Shkencat shoqërore duhen fashitur, se andej vjen rreziku perëndimor. Prandaj në Universitetin e Tiranës e kudo gjetkë, bile edhe në shkollat e mesme nuk duhet të ketë histori të mirëfilltë, filozofi, letërsi e të tjera si këto. Kultura perëndimore duhet luftuar për vdekje në të kundërt gjithçka do të na shkojë kot.
Nuk di nëse ua shpreha të gjitha ato që kisha për këtë herë, por ta dini se edhe pse jam i lodhur, kam soditur me endje gjithë ditën e natën profilin e Pjetrit, sipas fotografisë që më keni drejtuar ju. Më thoshit që Pjetri ka qenë i mërzitur nga atakimi frontal që i ka bërë rebeli Dom Simon Jubani. E, kur s’e vrava atë maskara. Nejse të vazhdojmë tani. Tjetrin ta mbani pranë, se ai e ka humbur toruan, është i avashtë, por ashtu na duhet, të flasë ngadalë, por gjithmonë të kesh parasysh që të mos shkëputet nga Tomor Malasi (se s’ka burrë nëne që u beson pro perëndimorëve. Vjen një çast dhe ata neveriten nga hallva jonë). Keni parë që ai, Tomorri, më ngjan pak edhe mua, këtë s’e kisha vënë re, por ma çoi në mend Hysniu (Kapua). Fotografinë e tij (Malasit) e pa shkarazi edhe Benitua (Musolini) e ngeli pak i mërzitur, se me sa duket ia pati zili ballin. Kam edhe një letër për Sadamin, e them që ta dërgoj me anën tuaj, sepse korrierët e Gjirit Persik që njoh ua kam vënë juve në dispozicion për punën e atij vajgurit fals që gjoja do ngrohë popullin. Pak ngrohje Sali, sa më pak ngrohje mundësisht as fare ngrohje. Apo jo Ramiz? (Kaloriferët e Bllokut t’i shpërndahen grupit parlamentar të PD. Unë nuk do t’u futem në organizimin e brendshëm, por rekomandoj që Spahisë, Ballës dhe Baletës t’u jepni nga dy copë, ndërsa familjes së Thanas Nanos t’i jepet për mirëmbajtje borsa ime personale, ajo, Ramiz që kam pasur që në kohë të luftës). Mendoj se përfaqësuesi ynë në Konferencën Islamike, të jetë Tomor Malasi, në asnjë mënyrë Baleta, sepse siç ua thashë ka dështuar një herë në Nju Jork dhe një dështim i dytë do të na komprometonte të gjithëve në sytë e Djallit, i cili do bindej se komunistët shqiptarë e humbën krejt shpirtin revolucionar në luftën për triumfin aziatik, të ma bëjë këtë shërbim. Në letër ka ca mendime të Ajatollah Komeneit, të cilat s’i kapa krejt, pasi këtu (një shok i rëndësishëm po i dërgonte Turgut Ozalit), ndërkohë që Komenei ma kishte rrasur mjekrën pas veshit, e me dorën e lirë po instruktonte Gamal Abdel Naserin tonë të shtrenjtë, që gjithë ditën qan për marrëveshjen e Kemp Dejvisit… Eh, dreqin se për pak harrova…. Sali je treguar i shkëlqyer me luftën që i bëre Klintonit, kur çove në Amerikë tërë stafin tënd. Edhe Klintoni do ta hajë, mos u mërzisni, shumë shpejt Sulltan Mehmeti do të vërë në lëvizje Taxhikistanin dhe disa ishuj të Paqësorit, pasi i mbushi mendjen Bajazitit që ka në patronazh atë zonë. Një përfaqësues nga Shijaku, përkatësisht nga Sharra e Tiranës (është fjala për ndonjë pinjoll nga dera e Qamilajve) mund të na bënte punë të mira në këtë luftë, se mirë luftoi Eduarti, por ju e dini që është pa eksperiencë, e kjo e bëri që të bjerë në kurthin që i ngriti Aleanca Demokratike, mikesha më e madhe e Klintonit në Shqipëri… More, dale pak se prapë harrova, po me Aleancën si e keni punën? Duhen shkatërruar ata, Sali, ti duhet ta marrësh në dorë këtë, se Ramizi është i izoluar në shtëpi e s’ka mundësi ta takojë krejt agjenturën, bile as Gazideden (më bëhet qejfi që ai del e i mbulon të dyja, edhe Shoqatën Islamike edhe SHIK-un). Përdor edhe agjenturën e vjetër, Sali, e ço te Nanua, Tonin Alimëhillin. S’ka gjë se ka qenë kryetar kooperative, ai është i saktë në detyra. Unë u mërzita me të sepse e shkeli asokohe, e mund të më vinte në armiqësi me krejt fshatin shqiptar në Veri, kur rrahu malësorët e tu në zyrë. Nanon mbajeni nën hije, të mos dalë shumë, por ti, Sali, d
uhet të paktën një herë në muaj të bisedosh shtruar me të dhe të mos jesh xheloz për të (siç më ka shkruar Vitua e Hysniut). Kastriot Islamit mos i besoni se ka qenë në Perëndim për ca vjet. Sali e Ramiz, po e mbyll këtë kartë me shpresën se ky plan pesëvjeçar do të kurorëzohet me fitoren tonë.
Juaji Enver
P.S. të fala xha Shefqetit, Haxhiut, Pilos, Bashkimit (Trenovës), Petros (Dhimitrit) dhe Lumturi Rexhës
Ferr, me 12 të vjeshtës së shtatë 4220 (sipas kohës së lugatit këtej nga ne)
-Botuar me 16 janar 1993 në gazetën KOHA JONE-
Shënim: “Letrat nga ferri” në KOHA JONE janë shkruar nga Edi Rama dhe Spartak Ngjela