Lëvizje ministrash në shtator? Kreshnik Spahiu: Nuk pres riformatim të qeverisë deri në 2027
Juristi Kreshnik Spahiu hedh poshtë zërat për ndryshime të mundshme në qeverinë e kryeministrit Edi Rama gjatë muajit shtator. Sipas tij, raportimet e publikuara në media për një riformatim të mundshëm të kabinetit qeveritar nuk mbështeten në zhvillime konkrete.
”Unë i kam lidhur të gjitha mediat, qoftë televizionet, portalet, gazetat, që janë mbushur në faqet e para për ndryshime të pritshme në shtator, unë jam këtu për t’i thënë publikut që në mendimin tim personal që nuk është absolut, por është thjeshtë opinion relativ, që të gjitha mediat ja fusin kotë”, tha Spahiu.
Ai argumenton se situata mund të ndryshojë vetëm nëse protestat në vend do të përshkallëzohen dhe do të rritet ndjeshëm numri i qytetarëve që marrin pjesë në to. “Në perceptimin tim, nëse nuk do të ketë eskalim apo rritje të protestave, nuk do të ketë asnjë ndryshim në qeveri. Qeveria Rama nuk do të ndryshojë dhe nuk do të kishte arsye asnjë qeveri të bënte ndryshime”, deklaroi juristi.
Spahiu hodhi poshtë gjithashtu mundësinë që ndryshimet në qeveri të jenë kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se, sipas tij, nuk ka një presion të tillë nga përfaqësuesit e BE-së apo ambasadorët. Në këtë mënyrë, juristi e sheh si të pamundur një ndryshim të kabinetit në shtator, nëse nuk do të ketë një përshkallëzim të situatës politike dhe sociale në vend.
KOHA JONË SONDAZH

